​Superliga “e papërballueshme” për klubet që promovohen

Futboll

​Superliga “e papërballueshme” për klubet që promovohen

Më: 28 tetor 2023 Në ora: 11:34
Foto ilustrim

Për vite me radhë në futbollin e vendit tonë, skuadrat që sigurojnë inkuadrimin në Superligën e Kosovës, përballen me vështirësi organizative dhe financiare, duke bërë që ato të mos arrijnë të mbijetojnë dhe të bien sërish një rang më poshtë.

Për këtë problematikë kanë folur njohës të futbollit vendor, të cilët kanë thënë se telashet e këtyre klubeve vijnë kryesisht për shkak se ato nuk kanë një projekt serioz para se të futen në Superligë.

Trajneri Granit Begolli ka thënë, se diferenca e madhe në cilësi në mes kategorisë elitare dhe ligës së dytë, bën që skuadrat që ngjiten në Superligë, të dështojnë.

Begolli: Skuadrat e Ligës së Parë nuk kanë projekt serioz kur futen në Superligë

“Problemi kryesor është që skuadrat që organizohen për të hyrë në Superligë, mendojnë vetëm për Ligën e Parë, ta përfundojnë sezonin për të hyrë në Ligën e Parë dhe pastaj nëse bëhet për të hyrë në Superligë, ka ndryshime jashtëzakonisht të mëdha. Në shumicën e skuadrave nuk planifikohet projekti që të bëhet një bazë e ekipit që ajo të jetë edhe në Superligë. Është diferencë pak më e madhe te këto skuadrat që vijnë prej Ligës së Parë në kualitet dhe organizim, shumica prej tyre dhe në stadiume, kështu që problematika fillon prej Ligës së Parë, atje ku nuk bëhet planifikimi serioz ose në mënyrën më të mirë të mundshme për ta pasur skuadrën të fuqishme dhe në Superligë”, ka thënë Begolli.

Ndërsa, ish-futbollisti i “Lirisë”, Robert Gjeraj konsideron se buxheti i vogël i skuadrave nga Liga e Parë, bie ndesh me kërkesat e larta për paga të lojtarëve dhe shpenzimeve të tjera që kërkohen pas futjes në Superligë dhe kjo pastaj sjellë telashe të mëdha për këto klube.

Gjeraj: Buxheti i penalizon ekipet që vijnë nga Liga e Parë

“Është një problem shumë i madh i të gjitha ekipeve prej Ligës së Parë që vijnë në Superligë. Prej momentit që është ndryshuar Superliga dhe është bërë me dhjetë skuadra, atëherë gjithmonë ka pasur probleme për ekipet e Ligës së Parë, të cilat janë futur në Superligë. Problem shumë i madh është se në Superligë, të gjitha ekipet janë të forta dhe çdo lojë është derbi, kurse në Ligën e Parë, përveç dy apo tre derbive, të tjera janë ekipe nën nivelin tënd ndoshta... Kësaj kur ia shton edhe buxhetin dhe organizimin, sepse në Ligën e Parë ndoshta është një organizim më i lehtë, çmimet janë më të vogla të lojtarëve dhe mund të mbijetosh shumë më lehtë, kurse në Superligë, unë tani po e shoh me Lirinë që jemi futur, është një buxhet shumë më i madh që duhet ta kenë ekipet, lojtarët janë më të shtrenjtë, organizimi është shumë më i madh”, ka thënë Gjeraj.

Skuadra e Ferizajt garoi mes skuadrave më të mira në kampionatin elitar vetëm për një sezon (2022/23) dhe më pas është rikthye në një rang më të ulët.

Presidenti i këtij klubi, Luzim Abazi ka kërkuar edhe ndërhyrjen e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) për të ndihmuar klubet, sidomos në aspektin financiar.

Abazi: Klubet që futen në Superligë të ndihmohen edhe nga Federata e Futbollit

“Mund të themi që janë disa nga problemet që manifestohen për klubet të cilat e fitojnë të drejtën për të shkuar në Superligë. Unë mendoj që paraprakisht edhe federata duhet të inkorporohet në këtë temë sepse mendoj se duhet të bëhen disa politika të tjera sa i përket kësaj pune, inkuadrimit në Superligë të klubeve të Ligës së Parë. E vërteta është se faktori numër një është financat që ndikon direkt në mbarëvajtjen apo përgatitjen e ekipit për të shkuar në Superligë... Është dallimi shumë i madh i ekipit, i lojtarëve, i kuadrit që e ke në Ligën e Parë, e pastaj në Superligë të duhet komplet ta ndryshosh formacionin, apo të ndryshohet ekipi me mbi 20 lojtarë sepse të gjitha ekipet që zakonisht po ngjiten në Superligë kanë lojtarë ose të moshës pak më të madhe që nuk mund t’i qëndrojnë asaj lige sepse Superliga ka ecur me hapa të shpejtë, është një ligë vërtetë shumë e fortë edhe ekipet që po shkojnë aty po përballen me probleme”, tha Abazi.

Abazi propozon që FFK të kërkojë nga klubet që hyjnë në Superligë, një garanci financiare për së paku gjashtë muajt e parë për të shmangur mosdhënien e pagave për lojtarët dhe problemet e tjera që vijnë si rrjedhojë e mungesës së të ardhurave.

Abazi: FFK të kërkojë nga klubet një garanci bankare

“Jo, nuk ka kërkesa nga Federata e Futbollit të Kosovës që duhet të deponohen para apo duhet diçka garancione. Unë mendoj që e kundërta, pra duhet të ndodh kjo, duhet të kërkohet, të caktohet një pjesë e parave, një garancion bankar, së paku për gjashtëmujorin e parë të Superligës ata që aspirojnë edhe ata që duan të shkojnë aty duhet të caktohet një vlerë dhe të deponohet në bankë në mënyrë që klubet të jenë ndaj lojtarëve të kenë qasje më të mirë dhe të jenë fer ndaj lojtarëve për kërkesat dhe kontratat që i kanë me ekipin. Prandaj derisa të mos bëhet diçka në këtë drejtim do të jetë problem sepse të gjitha klubet pastaj po e aspirojnë Superligën, mirëpo nuk e dinë se muajin tjetër a do të kenë paga apo nuk do të kenë”, ka thënë Abazi.

Në sezonin aktual, dy skuadrat që janë inkuadruar në Superligë, Fushë Kosova dhe Liria po përballen me vështirësi, të cilat po shpërfaqen edhe në fushë. Këto dy skuadra, pas dhjetë xhirove të zhvilluara, kanë mbledhur vetëm gjashtë, përkatësisht pesë pikë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat