Sulmuesi meksikan: Nuk kam agjent, mos i besoni fjalëve

Futboll

Sulmuesi meksikan: Nuk kam agjent, mos i besoni fjalëve

Më: 29 tetor 2023 Në ora: 11:23
Santiago Gimenez

Santiago Gimenez, 22-vjeçari që aktivizohet në Eredivisie me Feyenoord është një nga lojtarët me mesataren më të lartë të golave në Europë. Në dhjetë ndeshje të këtij sezoni mes kampionatit holandez dhe Champions League, meksikani e ka gjetur rrugën e rrjetës në 15 raste ndërsa nuk janë për t’u anashkaluar edhe tre asiste.

Jo më kot, klubet më të mëdha europiane e kanë vendosur në shënjestër Gimenez teksa nga Spanja duket sikur ka një derbi madrilen mes Atleticos dhe Realit.

Gjithsesi, vetë sulmuesi kërkon të jetë i përqëndruar te e tashmja dhe së fundmi shprehet se ai nuk ka një agjent e se në momentin që do të ketë të reja për të ardhmen, nuk do të hezitojë t’i ndajë ato me publikun.

“Në orët e fundit ka pasur shumë spekulime rreth së ardhmes sime, shumë njerëz po flasin për mua.

Por, dua të theksoj se unë nuk kam asnjë agjent, personi që merret me të ardhmen time është babai im. Ju lutem të mos merrni parasysh asnjë deklaratë nga persona të tjerë.

Nëse do të ketë të reja, atëherë unë nuk do të hezitoj t’i ndaj ato me publikun”, shkruan Gimenez në rrjetet sociale.

Aktualisht, Gimenez ka një kontratë që e lidh me Feyenoord deri në janarin e vitit 2027 teksa vlera e sulmuesit në merkato sipas faqes së specializuar “transfermarkt”, është 40 milionë euro.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat