Albi Mall Superliga rikthehet në aksion, në Suharekë përballen pretendentët për titull

Futboll

Albi Mall Superliga rikthehet në aksion, në Suharekë përballen pretendentët për titull

Më: 1 nëntor 2023 Në ora: 09:27
Të tre duelet e ditës së sotme në elitën e futbollit fillojnë nga ora 13:00

Albi Mall Superliga starton sot me ndeshjet e xhiros së 12-të ku në program janë tre për tu zhvilluar.

Padyshim që vëmendja e adhuruesve kosovarë do të jetë në Suharekë ku përballë do të jenë dy pretendentët kryesorë për titullin e kampionit Ballkani dhe Drita.

Pas 10 ndeshjeve të zhvilluara dy skuadrat janë të parat, ku Ballkani kryeson tabelën me 26 pikë, katër më shumë se gjilanasit.

Kjo është përballja e parë këtë edicion mes dy skuadrave, pasi ndeshja e xhiros së tretë ishte shtyrë dhe ende nuk është zhvilluar.

Është një duel mes dy skuadrave të pamposhtura këtë edicion në Albi Mall Superligë dhe pritet të jetë një luftë e vërtetë sportive për tre pikët.

Në stadiumin ‘Liman Gegaj’ në Malishevë pritet të zhvillohet një tjetër ndeshje shumë interesante, ku Malisheva pret Prishtinën.

Vendasit në këtë takim vijnë pas barazimit 0-0 në udhëtim te Fushë Kosova, derisa Prishtina pas fitores së vështirë ndaj Gjilanit 2-1 dhe të dyja skuadrat kërkojnë tre pikët.

Dueli i tretë i ditës së sotme do të luhet në stadiumin me bari sintetik në Gjilan, ku SC Gjilani përballet me Feronikelin ’74.

Si vendasit ashtu edhe mysafirët vijnë në këtë duel pas disfatave në fundjavë dhe kërkojnë të rikthehen te fitoret.

Të tre duelet e ditës së sotme në elitën e futbollit kosovar fillojnë nga ora 13:00.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat