Partizani ndizet sërish në shtesë, Tirana i falet Florent Hasanit

Futboll

Partizani ndizet sërish në shtesë, Tirana i falet Florent Hasanit

Më: 1 nëntor 2023 Në ora: 16:47
Hasani

Quajeni Partizani i minutave shtesë. Kampionët në fuqi të Shqipërisë morën një tjetër 3-pikësh të vuajtur këtë herë në transfertën ndaj Laçit, teksa interesant është fakti që për të katërtën sfidë radhazi, gjejnë golin e fitores në minutat shtesë.

Që prej uljes në stol të Arbër Abilaliajt, ‘të kuqtë’ e kryeqytetit kanë regjistruar katër fitore në po kaq ndeshje dhe në të gjitha kanë shënuar golin në minutat shtesë, duke filluar nga derbi me Tiranën, për të vijuar me Erzenin, Teutën e së fundi Laçin.

Ndaj kurbinasve, vetëm 30 sekonda para vërshëllimës së trefishtë të arbitrit, ishte Gjelbrim Taipi, që pas një asisti të Kekos, goditi saktë me kokë dhe dërgoi topin në rrjetë, duke i dhënë fitoren Partizanit, që barazon Egnatian në krye me 23 pikë, por me një ndeshje më pak se rrogozhinasit.

Pikërisht golat e fitores në shtesë konfirmojnë edhe njëherë mentalitetin fitues të Partizanit, që beson te suksesi deri në vërshëllimën e fundit dhe faktet tregojnë se për të katërtën ndeshje radhazi janë shpërblyer më së miri.

Rikthehet te fitorja Tirana, që fitoi me rezultatin 2-0 ndaj Teutës, duke marrë një 3-pikësh që e ngjit për momentin në vendin e tretë me 17 pikë, 6 më pak se Egnatia kryesuese.

Në “Selman Stërmasi” ishte lideri i bardhebluve, Florent Hasani që mori për dore skuadrën, duke shënuar të dy golat e ndeshjes dhe duke rikthyer skuadrën te fitorja e munguar që prej 7 tetorit, kur sërish një gol i tij, i dha Tiranës suksesin minimal ndaj Vllaznisë.

Sulmuesi anësor i bardhebluve zhbllokoi ndeshjen në minutën e 12’ me nëj lëvizje shumë ët bukur brenda zonës, ndërsa në të 82-tën shënoi edhe golin e qetësisë për skuadrën e drejtuar nga Julian Ahmataj, e cila duke se po jep shenja ringritjeje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat