Kaos para finales. Tifozët e Bokas dhe Fluminenses përleshen në plazhin më të famshëm në botë

Futboll

Kaos para finales. Tifozët e Bokas dhe Fluminenses përleshen në plazhin më të famshëm në botë

Më: 3 nëntor 2023 Në ora: 16:56
Përleshen

Gjashtë argjentinas dhe një tifoz brazilian u arrestuan pasi tifozët u grindën në plazhin “Copacabana” të Rio de Zhaneiros përpara finales së Kupës Libertadores, që do luhet nesër mes Fluminense dhe Boka Zhuniors.

Mediat braziliane dhe argjentinase, secila nga këndi i tyre, raportojnë se ka pasur një konflikt mes tifozëve të Boka Zhuniors  dhe Fluminense në Kopakabana pranë zonës së tifozëve.

Mediat vendase pretendojnë se tifozët e Bokas janë përgjegjës për dhunën, ndërsa tifozët e Bokas u kanë thënë mediave argjentinase se tifozët e Fluminense kanë mbërritur në plazh për të kryer një sulm të organizuar.

Policia reagoi menjëherë duke përdorur gaz lotsjellës dhe plumba gome dhe situata e nxehtë u qetësua shpejt. Gjashtë argjentinas dhe një tifoz brazilian u arrestuan dhe katër persona kërkuan ndihmë mjekësore.

Një pjesë e mediave raportojnë se atmosfera në plazhin që përdoret si zonë e tifozëve, në shumicën e rasteve është e qetë dhe miqësore.

Federata e Futbollit të Amerikës së Jugut (CONMEBOL) ka ftuar tifozët e Boka Zhuniors dhe Fluminense të “ndajnë momentet e gëzimit dhe festës që na dhuron futbolli”.

“Vlerat e sportit që duam më shumë duhet të inkurajojnë sjelljen paqësore dhe harmonike. Prandaj, ne refuzojmë çdo veprim të dhunshëm dhe racist që mund të ndodhë në kontekstin e finales,” shkruan “CONMEBOL”.

Të shtunën, më 4 nëntor, në Marakana do të luhet finalja e 64-të e “Copa Libertadores”, versioni amerikano-jugor i Champions League. Brazilianët e Fluminense dhe skuadra argjentinase Boka Zhuniors janë finalistët e këtij turneu.

Pavarësisht se tifozët e Bocas kanë të drejtë për 20 mijë bileta, pritet që në Rio de Zhaneiro të mbërrijnë mbi 100 mijë tifozë të gjigantëve argjentinas, duke shkaktuar “dhimbje koke” tek autoritetet lokale dhe policia.

Do të jetë finalja e 12-të e Bokas dhe deri më tani ka fituar gjashtë herë (1977, 1978, 2000, 2001, 2003, 2007). Boka tani ka një shans për të barazuar rekordin e Independientes prej shtatë titujsh të Kupa Libertadores.

Në finalen e tyre të vetme deri tani, në vitin 2008, Fluminense humbi me penallti kundër ekuadorianëve të LDU nga Kuito.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat