Ibrahimoviçi shqiptar pushton skenën në Itali

Futboll

Ibrahimoviçi shqiptar pushton skenën në Itali

Më: 3 nëntor 2023 Në ora: 22:58
Ibrahimoviçi

Arijon Ibrahimoviç duket se shumë shpejt mund të bëhet një emër i njohur në arenën ndërkombëtare.

Djaloshi shqiptar i cili përfaqëson Gjermaninë, ka lënë shenjën e tij këtë javë në ndeshjen e Kupës së Italisë ku Frozinone mundi 2-1 Torinon.

Ibrahimoviç, i cili u transferua në verë nga Bajern Mynih, ishte titullar në këtë sfidë dhe shënoi golin e parë të ndeshjes për Frozinonen, që kaloi turin përballë torinezëve.

Dhe për lojtrain e ri nuk kanë munguar elozhet, pasi që në moshën 17-vjeçare po tregon se mund të luajë në nivelet më të larta. Ndërkohë, te Frozinone po fërkojnë duart pasi po nuhatin se kanë bërë një goditje të mirë, sido që të shkojnë gjërat.

Ibrahimoviç u transferua me formulën e huazimit nga Bajerni, por drejtuesit e klubit italian ia dolën që të vendosnin edhe një klauzolë për blerjen përfundimtare të tij. Sipas Xhanluka Di Marcio, kjo shifër është vetëm 3,5 milionë euro, një shumë e përballueshme nga klubi italian dhe mëse e justifikuar nëse lojtari vazhdon të shfaqë aftësitë e tij në këto nivele.

Por nga ana tjetër, edhe Bajerni nuk dëshironte që të hiqte dorë nga futbollisti. Për këtë arsye, ka vendosur një klauzolë për “riblerjen”, nëse Frozinone në qershor vendos të paguajë për të marrë përfundimisht lojtarin.

Klauzola është relativisht e lartë, pasi për ta kthyer në Bavari në verën e vitit 2024, Bajerni duhet të paguajë 11 milionë euro, ndërsa një vit më vonë, kjo shumë shkon në 14 milionë euro. Shifra të larta, që tregojnë edhe një herë se sa besim kanë klubet në fjalë se Ibra shqiptar do ia dalë dhe se goli i shënuar ndaj Torinos në Kupë, është vetëm i pari i shumë të tillëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat