Scaroni shpall ambicien e madhe

Futboll

Scaroni shpall ambicien e madhe

Më: 4 nëntor 2023 Në ora: 12:25
Scaroni

Vazhdon me shpejtësi projekti i Milanit për stadiumin e ri, që do të presë ndeshjet në shtëpi të klubit kuqezi. Pas njoftimit të bërë ditët e fundit, presidenti Scaroni dha detaje të tjera.

Stadiumi i ri i Milanit do të ndërtohet në San Donato Milanese, në zonën e San Francesco, siç komunikohet nga vetë klubi në shënimin e datës 27 shtator, në të cilin u njoftua propozimi i Ndryshimit të Planifikimit Urban, paraprak për një zhvillim të mundshëm të mëvonshëm të projekt përfundimtar.

Numri një i “Djallit” ka vendosur objektivin në lidhje me ndërtimin e objektit të ri sportiv, duke njoftuar realisht se kur Milani do të mund të largohet nga “San Siro” dhe të transferohet në shtëpinë e re.

Paolo Scaroni foli në “MilanNews” për çështjen e stadiumit: “Për më shumë se katër vite kemi nisur një udhëtim për t’i ofruar klubit tonë një nga stadiumet më të mira në botë, të aftë për të na shoqëruar drejt një të ardhmeje fituese dhe të qëndrueshme.

Në shtator morëm hapin e parë zyrtar, duke paraqitur në Bashkinë e San Donato Milanese propozimin për zonën e quajtur San Francesco dhe tani jemi në pritje të zhvillimeve. Ne duam të ndërtojmë stadiumin më të bukur në botë, në planet tona ndeshja e parë do të luhet në të në fillim të sezonit 2028-2029”.

Scaroni gjithashtu përsëriti kundërshtimin për rinovimin e “San Siro”: “Siç është nënvizuar shumë herë, rinovimi i këtij stadiumi është i pamundur nga pikëpamja praktike. Mes kampionatit, kupave kombëtare dhe ndërkombëtare, Milani dhe Interi luajnë një numër të tillë ndeshjesh në “San Siro”, saqë e bëjnë të pamundur kryerjen e punime të rënda në atë stadium, ndërkohë që në një distancë të dobishme nuk ka objekte alternative të përshtatshme për të na pritur përkohësisht.

Thënë kështu, ne kemi nevojë për një stadium të ri, inovativ, që mundëson eksperiencë unike për spektatorët dhe garanton të ardhurat e nevojshme për ta mbajtur klubin në elitën e futbollit europian, për të na projektuar drejt së ardhmes që Milani meriton.

Propozimi i ri përfshin një rritje të sipërfaqes së ndërhyrjes prej 160.000 m2, në të cilën nuk do të ndërtohet asnjë ndërtesë, por do të ofrohet park i aksesueshëm për publikun dhe shërbimet (parkime të gjelbërta dhe shtigje për biçikleta). Projekti i ri garanton gati trefishin e totalit të gjelbërimit të shfrytëzueshëm, i cili do të shkonte nga 80.000 m2 në 235.000 m2”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat