Shkupi sfidohet nga Vardari! Vosha: Të festojmë me “Shvercerat” si gjithmonë

Futboll

Shkupi sfidohet nga Vardari! Vosha: Të festojmë me “Shvercerat” si gjithmonë

Më: 4 nëntor 2023 Në ora: 23:20
Pamje nga një ndeshje

Të dielën do të luhet java e 13-të e Ligës së Parë të Maqedonisë së Veriut, ndërsa Shkupi është nikoqir në Çair dhe pret ekipin e Vardarit.

Për këtë ndeshje të gjithë në kampin bardhekaltër janë të gatshëm për të dhënë maksimumin që të vazhdojnë serinë pozitive dhe njëkohësisht të mbeten në kreun e tabelës së renditjes.

Menjëherë pas fitores ndaj Rabotniçkit, trajneri i ekipit shkupjan Zhizhoviç kishte thënë se pa humbur kohë, do të nisin punën që të analizojnë kundërshtarin dhe të jenë të gatshëm në maksimum për përballjen e të dielës kundër Vardarit.

Optimizmi për fitore është edhe tek lojtarët, të cilët kanë punuar me një atmosferë pozitive gjatë ditëve që lamë pas.

Pikërisht për duelin e të dielës, ka folur sulmuesi i krahut dhe golashënuesi më i mirë i ekipit, Arbi Vosha, i cili mes tjerash ka thënë se për këtë ndeshje pret përkrahjen maksimale nga tifozët të cilët në çdo ndeshje janë lojtari i dymbëdhjetë i ekipit.

“E dimë që është ndeshje derbi, por për ne edhe kjo është si çdo ndeshje tjetër, andaj të gjithë në ekip e kemi marrë këtë lojë me shumë qetësi.

Sigurisht se kemi punuar me shumë përkushtim dhe jemi përgatitur maksimalisht për lojë, duke shpresuar se besuar se mundë të marrim tri pikë.

Në fund dua të them që pas ndeshjes do të festojmë së bashku me “Shvercerat” që si gjithmonë kanë dëshmuar se janë lojtari ynë i 12-të, andaj u bëjë thirrje që të jenë në numër sa më të madh, të mbushim tribunat, të na përkrahin gjatë ndeshjes dhe në fund të festojmë siç na ka hije”, është shprehur Vosha.

Në pesë përballjet e fundit ndaj Vardarit, kanë dy fitore, dy barazime dhe një disfatë.

Kujtojmë se ndeshja Shkupi – Vardari luhet të dielën e 5 nëntorit me fillim në ora 13:00.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat