Tragjedia e Duamenës, flet lojtari i parë profesionist gjerman

Futboll

Tragjedia e Duamenës, flet lojtari i parë profesionist gjerman

Më: 14 nëntor 2023 Në ora: 19:53
Daniel Engelbreht

Tragjedia e Rafael Duamenës, i cili humbi jetën pas kolapsit në ndeshjen Egnatia-Partizani, ka bërë xhiron e botës dhe është kthyer në shumë vende në temë diskutimi rreth sigurisë së futbollistëve dhe aftësisë për të luajtur me probleme në zemër.

Veprimi i të ndjerit Duamena për të hequr defibrilatorin shihet nga shumëkush si shkaku i kësaj tragjedie dhe këtë variant e mbështet në mënyrë indirekte edhe një person i cili shkroi historinë disa vite më parë për një çështje të ngjashme.

Daniel Engelbreht është tashmë 33-vjeçar dhe nuk luan më futboll, por në moshën 22-vjeçare, ai u rrëzua pasi pësoi një kolaps kur luante për Shtutgart Kikers ndaj Erfurt. Ish-sulmuesit iu diagnostikua përveç miokarditit edhe aritmi kronike kardiake. Pas katër operacioneve, atij iu vendos edhe defibrilatori në zemër.

Rreth 18 muaj pas ndërhyrjes së fundmit, ai u kthye në fushën e lojës, duke u bërë futbollisti i parë profesionist gjerman i cili luante me defibrilator. Një aparat të cilin Duamena e hoqi dhe për ish-futbollistin, kjo ishte e pakuptimtë.

“Nuk e njihja, por për mua është e pashpjegueshme që të hiqet defibrilatori. Unë kam ndaluar së luajturi futboll tani, por e di se sa e ndërlikuar mund të jetë nëse ke probleme me zemrën”, tha Engelbreht në një intervistë duke insistuar se një pajisje e tillë mund të shpëtonte jetën në fushë dhe jo vetëm.

“Sepse në fushë ka njerëz që mund të ndihmojnë. Por çfarë ndodh kur jam vetëm në shtëpi?”, ishin fjalët e futbollistit i cili i dha fund karrierës së tij në vitin 2017 pas insistimit të familjarëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat