Beckham: Akoma nuk më besohet

Futboll

Beckham: Akoma nuk më besohet

Më: 15 nëntor 2023 Në ora: 14:37
Messi e Beckham

“Nënshkrimi i Lionel Messit me Inter Miami, verën e kaluar, ishte një “dhuratë për Amerikën dhe për ‘Major League Soccer’ (MLS)”, – tha David Beckham, president dhe bashkëpronar i klubit nga Florida, në një intervistë me AFP nga Mumbai, ku ai mori pjesë në një ndeshje të Kupës së Botës në kriket.

Pyetjes nëse Anglia ka shanse në “Euro 2024”, që do të mbahet në Gjermani qershorin dhe korrikun e ardhshëm, anglezi iu përgjigj: “Personalisht kam shumë besim në këtë kombëtare të Anglisë.

Besoj te Gareth Southgate, në atë që ka bërë prej disa vitesh. Fatkeqësisht humbëm në finalen e Europianit të kaluar kundër Italisë (në korrik 2021), por ishim shumë pranë fitores.

Kur kombëtarja jonë është e suksesshme, i gjithë vendi bashkohet në një farë mënyre të pabesueshme. Nuk dua të flas para kohe, por mendoj se në ‘Euro 2024’ kemi vërtet shanset tona. Ndihem optimist për kombëtaren, sepse në të luajnë të rinj mjaft të talentuar si Cole Palmer, Jude Bellingham dhe të tjerë. Sigurisht, është kapiteni ynë Harry Kane, i cili vazhdon të jetë shembull për ekipin dhe të shënojë gola”.

Beckham u pyet gjithashtu për zbarkimin e Lionel Messit tek Inter Miami dhe ndikimin e madh të të pasurit të një figure të kalibrit të argjentinasit në SHBA: “Kur dikush më thotë se Lionel Messi luan për Inter Miami, unë ende nuk mund ta besoj. Si pronar, jam shumë krenar që kam lojtarin më të mirë në botë në skuadër.

Ne e dinim se marrja e Leos ishte një dhuratë e madhe jo vetëm për Miami, por për krejt SHBA dhe MLS. Dikush si ai ndryshon rregullat e lojës, është frymëzim për një brez të tërë lojtarësh. Kjo është arsyeja pse e donim Leon në skuadër.

Sigurisht që duam edhe të fitojmë tituj, të jemi skuadra më e mirë në kampionat.

Por një nga arsyet që nënshkruam me të ishte të frymëzonte gjeneratën e ardhshme të lojtarëve në SHBA. Messi e ka këtë fuqi”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat