Dardanët U19 barazojnë me Sllovakinë në ndeshjen e parë kualifikuese 

Futboll

Dardanët U19 barazojnë me Sllovakinë në ndeshjen e parë kualifikuese 

Më: 15 nëntor 2023 Në ora: 18:09
Kosova

Kombëtarja e Kosovës U19 e ka nisur me barazim turneun kualifikues të Grupit 7 për Kampionatin Evropian 2024 që po zhvillohet në Maltë. Dardanët kanë barazuar me Sllovakinë, me rezultat 1:1.

Pjesa e parë ndonëse ishte deri diku e nivelizuar u mbyll me epërsinë e sllovakëve, 1:0. Ishte mesfushori Tadeas Hajovsky, i cili në minutën e 22-të zhbllokoi shifrat e ndeshjes. Në këtë pjesë Dardanët me gjithë përpjekjet nuk arritën të ndryshojnë shifrat.

Pjesa e dytë ishte krejt ndryshe ngase djelmoshat e drejtuar nga Adil Maliqi e nisën lojën me aksione të furishme drejt portës sllovake dhe kështu në minutën e 48-të përfituan penallti, pasi Gashjani u faullua brenda zonës nga Oravec.

E nga pika e bardhë i saktë u tregua Eliot Bujupi, duke barazuar shifrat 1:1. Në vazhdim sllovakët krijuan disa raste, por edhe Dardanët patë raste shënimi.

Në kohën shtesë 90+5, Igball Jashari pati mundësi shumë të mirë, por golin ia mohoi shtylla pingule dhe kësisoj ndeshja u mbyll baras. Dardanët U19, të shtunën, në orën 11.00, ballafaqohen me Ukrainën, e cila sot e mposhti Maltën me rezultat 3:1.

Përzgjedhësi Adil Maliqi pas ndeshjes u shpreh: “Ashtu si e kishim paraparë ishte kjo një ndeshje e fortë me një kundërshtarë të fortë. Nuk mund të jemi të kënaqur me lojë në pjesën e parë, por në pjesën e dytë djemtë treguan karakter dhe barazuan madje me pak fat mund edhe të fitonim. I përgëzoj futbollistët për lojë dhe angazhim. Duhet të punojmë shumë për ndeshjen e radhës”.

Kosova – Sllovakia 1:1 (0:1)

Stadiumi: Cententary – Ta Qali
Shikues: Disa dhjetra
Gjyqtarë: R. Schroder (GER), R. Wessel (GER), Sh. Calleja (MLT), A.
Johnson (MLT).
Shënues: Bujupi (48’ p) për Kosovën – Hajovsky (22’) për Sllovakinë.
Kartonë të verdhë: Kodra (KOS) Murko (SVK)
Kosova: Qela, Ibrahimi (Kodra), Sylaj, Zeqiraj, Salihu (Dobruna),
Gerbovci (Rama), Milaj (Gashi), Lokaj, Gashijan, Bujupi e Talla (Jashari).
Sllovakia: Biodzogoh, Miellke, Svoboda, Oravec, Marek, Marko (Zahradnk), Hajovsky, Rehush, Marcelli e Mikula (Marko).

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat