Spalletti: Bukur të përqafoja Tottin

Futboll

Spalletti: Bukur të përqafoja Tottin

Më: 16 nëntor 2023 Në ora: 22:13
Pamje

Duhet fitorja ndaj Maqedonisë së Veriut për të përballuar ndeshjen e së hënës me Ukrainën duke pasur dy rezultate në favor. Ky është objektivi i parë i kombëtares italiane, që duhet të luajë 180 minuta vendimtare për kualifikimin në Euro 2024.

Nesër në stadiumin olimpik të Romës, të kaltrit do të kërkojnë me çdo kusht tri pikët ndaj një kundërshtari që nuk ka më asnjë shpresë, por që jo shumë larg në kohë ka ditur ta dëmtojë rëndë Italinë.

“Nga tani deri nesër në mbrëmje – shpjegoi vetë trajneri Luciano Spalletti në konferencën për shtypin – vetëm rezultati ka rëndësi, ne duhet të shkojmë dhe ta fitojmë këtë ndeshje. Duhet të mësojmë se çfarë do të thotë të veshësh këtë fanellë”.

Nëse do të akordohej një penallti në favor, Spalletti e di që Jorginho nuk do ta kishte problem ta ekzekutonte. Këtë e konfirmoi të martën vetë mesfushori i Arsenalit, i cili dy vite më pare, në Romë, ndaj Zvicrës, humbi një nga dy penalltitë fatale që u pasuan me dështimin për t’u kualifikuar në Botëror:

“Pres që për personalitetin dhe cilësinë që ka, Jorginho të shkojë të marrë topin. Jam i sigurt se ai nuk do të tërhiqet. E takova këto ditë dhe më bëri një përshtypje të pabesueshme me mënyrën se si arrin të lëvizë të gjithë ekipin.”

Sa ka ndryshuar Italia që nga ndeshja e fundit kundër Maqedonisë?

“Është një punë e përditshme. Mund të bësh një mijë fjalime, por më pas duhet të shkosh dhe ta fitosh këtë ndeshje dhe gjithashtu të bësh një paraqitje të mirë. Sepse rezultati është rrjedhojë e performancës.”

Në fund komenti për paqen e bërë me Francesco Tottin: “Ishte bukur të kisha këtë përqafim me Tottin: një kapitull emocionues në historinë time. Me të pata një nga udhëtimet më të mira në futboll. Më duhet ta falënderoj".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat