Endrick thyen rekordin e Ronaldos te Brazili

Futboll

Endrick thyen rekordin e Ronaldos te Brazili

Më: 17 nëntor 2023 Në ora: 13:34
Endrick

Kolumbia mundi Brazilin 2-1 në një ndeshje kualifikuese të Kupës së Botës 2026, për llogari të “Conmebol”. Kjo do të mbahet mend si fitorja e parë kolumbiane kundër brazilianëve, ndaj ka hyrë në historinë e kualifikueseve të Amerikës së Jugut. Në këtë ndeshje ra në sy loja e mrekullueshme e Luis Díaz, lëndimi i Vinicius dhe… debutimi i Endrick (21 korrik 2006) me Brazilin, në moshën vetëm 17 vjeç e 118 ditë.

Endrick Felipe Moreira de Sousa, një futbollist i nënshkruar nga Real Madridi, i cili do t’i bashkohet skuadrës Merengues sezonin e ardhshëm, kur të jetë 18 vjeç, u hodh në fushë në “Metropolitano” të Barranquilla për të zëvendësuar Raphinha të Barcelonës në minutën e 80-të.

Sulmuesi i ri i Real Madridit bëri debutimin e tij kur Brazili tashmë po humbiste 2-1 dhe nuk mundi ta parandalonte disfatën. Endrick gjithashtu u bë lojtari më i ri që debutoi për Brazilin, që nga Ronaldo në vitin 1993. Pra, e parakaloi në këtë listë të veçantë “Fenomenin”.

Ronaldo Luís Nazário de Lima, i cili në Spanjë luajti për Barcelonën dhe Real Madridin, debutoi me Brazilin në moshën 17 vjeç, 6 muaj e 2 ditë. Endrick gjithashtu kaloi Neymar (18 vjeç, 6 muaj dhe 5 ditë) dhe Vitor Roque (18 vjeç e 25 ditë). Ky i fundit është nënshkrimi i ri i Barcelonës.

“Ka qenë gjithmonë një ëndërr e madhe të vesh fanellën e Brazilit, – ka komentuar Endrick pas ndeshjes kundër Kolumbisë. – Gjërat kanë ndodhur shumë shpejt në jetën time dhe kjo është një tjetër ëndërr e realizuar. Mund të falënderoj vetëm familjen time, agjentët e mi dhe Palmeiras, të cilët kanë besuar gjithmonë tek unë”.

Futbollisti më i ri që debutoi për Brazilin ishte Pelé (Edson Arantes do Nascimento), i cili e bëri këtë në moshën 16 vjeç e 257 ditë, më 7 korrik 1957. Dy debutimet e tjera më të hershme me Brazilin ishin, siç u publikuan nga agjencia EFE, ato të Jonas Eduardo Américo ‘Edú’ (16 vjeç e 303 ditë) më 1966 dhe Antonio Wilson Vieira Honório ‘Coutinho’ (17 vjeç e 28 ditë) më 1960.

“Ai është një lojtar shumë i veçantë, vetëm 17-vjeç, i cili tashmë hapi derën e kombëtares së madhe. Ai ka përpara një të ardhmeje të ndritur. Megjithatë, është e nevojshme t’i ulim pak pritshmëritë për të, nuk duhet të ndihet nën presion.

Më e mira që mundemi është t’i japim Endrick siguri në mënyrë që të mos ndihet i mbingarkuar. Ne duhet t’ia lehtësojmë këtë barrë dhe ta forcojmë emocionalisht për të përballuar sfidat e karrierës së tij”, – paralajmëroi Fernando Diniz, trajneri i Brazilit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat