​Kualifikimi i Shqipërisë do të sjellë festë të madhe në Tiranë

Futboll

​Kualifikimi i Shqipërisë do të sjellë festë të madhe në Tiranë

Më: 17 nëntor 2023 Në ora: 13:54
Erjon Halili

Kombëtarja Shqiptare e futbollit do të ballafaqohet sonte me Moldavinë, sfidë nga e cila do t’i mjaftonte vetëm një pikë për ta siguruar kualifikimin në Kampionatin Evropian të futbollit që zhvillohet vitin e ardhshëm në Gjermani.

Organizimi për këtë ndeshje është jashtëzakonisht i madh, madje ajo do të transmetohet në një ekran gjigant në sheshin “Skënderbeu” në qendër të Tiranës, aty kur pritet të mblidhet një numër i madh i tifozëve kuq e zi.

Gazetar i “Topnews”, Erjon Halili ka thënë për KosovaPress se entuziazmi në Shqipëri është i jashtëzakonshëm para përballjes Moldavi-Shqipëri dhe përgatitjet për festë tashmë janë bërë.

Halili: Sonte presim kualifikim dhe nisje të festës së madhe

“Entuziazmi është shumë i madh prej muajsh tashmë me këtë kombëtare të Silvinjos që na ka na ka rikthyer sërish dëshirën për ta ndjekur nga tribunat dhe jo vetëm. Në Tiranë pritshmëritë janë shumë të mëdha, në qendër është organizuar një fanzone e madhe ku do të transmetohet ndeshja. Pritshmëritë janë që ne ta marrim atë një pikë, pse jo edhe më shumë sot në Moldavi dhe të nis festa që sot, e cila do të vazhdojë sigurisht deri të hënën për ndeshjen me Ishujt Faroe.”, ka thënë Halili.

Halili më tutje ka zbuluar se menjëherë pas përfundimit të ndeshjes, skuadra do të niset drejt Tiranës, aty ku në rast të kualifikimit, në aeroportin Rinas do të priten nga një numër i madh i tifozëve.

Halili: Pas ndeshjes, lojtarët do të udhëtojnë menjëherë drejt Tiranës

“Mund të iu them që edhe Kombëtarja Shqiptare nuk do të qëndrojë sonte në Moldavi, por menjëherë pas ndeshjes do të drejtohet direkt drejt aeroportit për të fluturuar me një qarter në Tiranë dhe për të nisur festën që sonte...Nga informacionet që kemi, qarteri është planifikuar që të niset rreth orës 22:00 nga Moldavia dhe do të arrijë pak pas mesnate, rreth 12:30 të mëngjesit. Janë marr masat, atmosfera është e ndezur dhe pritshmëritë janë që në rast kualifikimi të gjithë ata që do të jenë në fanzone në shesh të zbarkojnë në Rinas, të bëjnë edhe aty një mini-atmkosferë festive për t’iu uruar mirëseardhje skuadrës kombëtare.”, deklaroi Halili.

Sa i përket ndeshjes, Halili thotë se të gjithë lojtarët janë në formën më të mirë, por që trajneri brazilian, Silvinjo u ka kërkuar atyre që të tregojnë profesionalizëm dhe pjekuri gjatë 90 minutave në fushë

Halili: Silvinjo ka kërkuar maturi nga lojtarët

“Forma është shumë e mirë e të gjithëve, edhe Silvinjo e pranoi që të gjithë futbollistët në grumbullim janë në formën më të mirë dhe nga monitorimi që kemi bërë nga java në javë në skuadrat ku luajnë, pothuajse të gjithë kanë luajtur rregullisht, kanë marr ngarkesën e duhur, por Silvinjo ka provuar që ta ulë entuziazmin disi gjatë gjithë këtyre ditëve duke shmangur edhe konferencat e zakonshme për shtyp që bëheshin gjatë ditëve të grumbullimit pasi dëshiron t’i mbajë lojtarët me këmbë në tokë. Siç e theksoi edhe ai vet në konferencë për shtyp, akoma asgjë nuk ka përfunduar, jemi një gjysëm hapi larg, por duhet ta bëjmë edhe atë që ta nisim festën e plotë. Nuk ka vend akoma për eufori, të paktën tek futbollistët të cilët duhet të tregohen profesionist të vërtetë, të jenë të përqendruar tek ato 90 minuta, ta sigurojnë edhe matematikisht kualifikimin, pastaj le të festojmë të gjithë së bashku.”, shtoi tutje Halili.

Momentalisht, Shqipëria është lidere e grupit E me 13 pikë, e ndjekur nga Republika e Çekisë me 11 dhe Polonia me 10 sosh.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat