Sylvinho sqaron përfundimisht çështjen Broja

Futboll

Sylvinho sqaron përfundimisht çështjen Broja

Më: 19 nëntor 2023 Në ora: 18:30
Sylvinho

Shqipëria luan si e kualifikuar ndeshjen e fundit në Grupin E ndaj Ishujve Faroe. Në vigjilje të përballjes së të hënës në orën 20:45, do të kërkohet të sigurohet vendi i parë në grup ndërsa në konferencë për shtyp foli trajneri Sylvinho. Braziliani theksoi se kuqezinjtë nuk duhet ta ulin ritmin ndaj Ishujve Faroe, ndërsa shtoi se llogaritë për lojtarët e grumbulluar do të bëhen vetëm pasi të përfundojë ndeshja e fundit në grupe.

Pse kaq i përqëndruar edhe tani që jemi kualifikuar? “Dua të falenderoj të gjithë njerëzit në Shqipëri, është një ëndërr.

Që kur u kthyem kemi menduar për ndeshjen me Ishujt Faroen, kanë lojtarë të gjatë dhe që mbrohen mirë.

Ne kemi edhe objektivin tjetër që është vendi i parë në grup, duhet të bëjmë një paraqitje të mirë dhe më pas të presim një pozitë më të mirë për shortin e dy dhjetorit. Është një ndeshje e vështirë, por jemi në kushte shumë të mira dhe ta mbyllinm me fitore këtë fushatë”.

I ke lehtësuar pak lojtarët? “Ishte një ndeshje fizike dhe shumë e lodhshme psikologjiksht ajo ndaj Moldavisë. Ishte e vështirë ta bënim gjumin rehat para asaj ndeshjes, por lojtarët e menaxhuan shumë mirë, avash avash.

10 minutat e fundit ishin shumë të vështira, ta ulim ritmin nuk duhet ta bëjmë kurrë. Nuk e njoh fjalën relaks, duhet të kënaqim tifozët. I kemi fituar ndeshjet në shtëpi. Do të shoh gjendjen e lojtarëve në stërvitjen e fundit dhe kështu do ta kem më të qartë panoramën”.

Do të ketë ndryshime? “Tifozët vijnë të festojnë, ne jemi në punë. Sa i përket ndryshimeve është pak e vështirë, djemtë vijnë vetëm pas një stërvitje rikuperuese, nuk ka pasur shumë kohë. Duhet të hedhim në fushë një skuadër më të freskët dhe do të ketë ndonjë ndryshim”.

Përzgjedhja për në Gjermani, shanset e Brojës apo Kumbullës? “Nuk ka shumë kohë. Do të komunikojmë me lojtarët, kemi shumë lojtarë. Nesër kemi një finale për vendin e parë dhe më pas do të mendojmë. Sa i takon lojtarëve si Broja dhe Kumbulla, ata janë të dëmtuar, por ka edhe shumë lojtarë të tjerë. Do të shohim, është një punë e vështirë për trajnerin, por edhe e bukur sepse do të përzgjidhen më të mirët”.

Kundërshtarët e mundshëm? “Nuk shqetësohem për të evituar kundërshtarët në Europian. Nuk e dua vendin e parë vetëm për të shkuar në vazon e dytë. Kemi shtatë ndeshje pa humbje, jemi një nga mbrojtjet më të mira. Do të ishte e mrekullueshme të merrnim vendin e parë. Jemi mbrojtja e katërt më e mirë në Europë, të gjitha këto janë të rëndësishme dhe nuk mendoj shumë për rivalët”.

Do të ketë të tjerë lojtarë apo do të bazoheni te lojtarët aktualë për listën? “Kemi nisur një rrugëtim së bashku, por kur flasim për kombëtaren nuk i dihet kurrë, dikush mund të dëmtohet. Kemi bërë një rrugëtimt të mirë me të gjithë lojtarët, do të jenë pjesa më e madhe e këtyre që janë këtu, ndoshta në masën 80% por nuk i dihet kurrë dhe duhet vlerësuar situata”.

Ka shumë për të përmirësuar, urime kam marrë nga shqiptarët që janë shumë të lumtur, nisi që nga pritja në aeroport. Ne luajmë për ata. Kërkojmë gjithnjë të përmirësohemi, në kombëtare nuk ka shumë kohë për trajnerin, punohet më së shumti me video. Nesër kemi një ndeshje shumë të rëndësishme dhe do të punojmë për të përmirësuar çdo drejtim”.

Çështja Broja, ka uruar së fundmi kombëtaren për kualifikimin? “Kam dëgjuar që ai nuk donte të vinte, e kam parë reagimin e tij dhe është i drejtë. Nuk ka asgjë të vërtetë në ato që shkruhen. Duhet të respektojmë shëndetin e tij. Është një lojtar i madh dhe herën e fundit që ishte këtu, u kthye te Chelsea dhe nuk luajti se ishte i dëmtuar. Nuk kishte luajtur me Chelsean para grumbullimit. Ka shumë kohë pa bërë 90 minuta, duhet të jetë i qetë. Është një djalosh shumë i mirë dhe një lojtar shumë i mirë, për fat të keq vjen nga ky dëmtim. Duhet të vazhdojë rrugëtimin me Chelsean, të rikuperohet dhe e mirëpresim kur të jetë në formë”.

De Biazi e mori nënshtetësinë shqiptare, po ju do ta merrni? “Unë jam shqiptar, në zemër jam shqiptar. Ai ka bërë një rrugëtim të bukur, kjo e dyta është një ëndërr. Për mua është një nder të jem trajner i kombëtares, diçka shumë e bukur dhe jam i kënaqur”, u shpreh Sylvinho.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat