Tirana, një përmbysje e çmendur

Futboll

Tirana, një përmbysje e çmendur

Më: 23 nëntor 2023 Në ora: 22:21
Tirana

Mposht Kukësin 3:2 në një sfidë ku verilindorët synuan fitoren me 10 lojtarë!

Takimi i fundit i së enjtes, i vlefshëm për javën e 13-të të Kategorisë Superiore, ishte ai që u luajt në mbrëmje midis Tiranës dhe Kukësit, që fillimisht ishte planifikuar të luhej në Stadiumin “Selman Stërmasi”, por që më pas u zhvendos në “Arenën Kombëtare” në kryeqytet.

Tirana e ka nisur më mirë takimin dhe loja e saj do të japë fryte në minutën e 14-të, kur topi i ekzekutuar me një goditje të zgjuar e Deliut brenda zonës do të kalojë vijën fatale përtej përpkjeve të Tafasit.

Bardheblutë kryesojnë 1-0 dhe, ndonëse loja në vijim do të hapet, me të dyja skuadrat që do të kërkonin golin që do të vendoste shumëçka, Tirana do t’i falet edhe instinkteve të portierit Abdullahu në minutën e 41-të për ta ruajtur këtë epërsi në mbyllje të pjesës së parë.

Pjesa e dytë nis po ashtu me lojë të hapur dhe është Salami, një nga më të mirët për Kukësin në këtë ndeshje, që pason në qendër për Beshirajn në minutën e 53-të dhe ky i fundit nuk gabo, duke barazuar shifrat.

Megjithatë, detyra e verilindorëve do të vështirësohet në minutën e 62-të, kur Duka do të marrë kartonin e dytë të verdhë dhe do të dalë nga loja me karton të kuq. Por 10 minutat e fundit të kohës së rregullt kanë qenë të çmendura, pasi fillimisht Momoh do të përmbysë shifrat për miqtë, duke finalizuar me sukses një aksion të bukur të verilindorëve.

Megjithatë, Tirana do të këmbëngulë dhe pas një goditjeje nga këndi, Përgjoni godet saktësisht me kokë barazon shifrat për bardheblutë në minutën e 87-të.

Vetëm 3 minuta më vonë, kryeqytetasit përmbysin gjithçka, teksa Kaina gjendet në vendin e duhur, për të kthyer në rrjetë një goditje që po shkonte jashtë.

Tirana mund kështu Kukësin 3:2 dhe ngjitet në vendin e 3-të, me 21 pikë, ndërsa verilindorët mbeten në kuotën e 14 pikëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat