Camano: Nuk është e lehtë

Futboll

Camano: Nuk është e lehtë

Më: 24 nëntor 2023 Në ora: 14:07
Interi

Prej kohësh, “zikaltërit” e Inter kanë nisur tratativat për të rinovuar kontratën me kapitenin e tyre, Lautaro Martinez, mirëpo për agjentin e këtij të fundit, Alejandro Camano, i cili thotë se pavarësisht dëshirës së “Demit” për të qëndruar në “Meazza”, sërish rinovimi pritet të jetë një proces i vështirë e i gjatë.

“Po bisedojmë që të marrim një propozim që të mund të kënaqë Lautaron.

Nuk është e lehtë, në kuptimin që nuk është diçka që bëhet sot për nesër. Por po punojmë që të arrijmë një akord. Probleme? Nuk besoj se do të ketë.

Kemi një raport të shkëlqyer me zikaltrit, siç po thoja kemi nisur tanimë diskutimet. Do të takohemi sërish për të hyrë në detaje në momentin më të përshtatshëm”, – u shpreh menaxheri i argjentinasit.

Më tej në fjalët e tij, Camano është shprehur se Lautaro shikon vetëm “zikaltër” dhe për këtë arsye në verën e kaluar i tha jo edhe një oferte të jashtëzakonshme nga Arabia Saudite, vetëm për të qëndruar te nënkampionët e Evropës.

“Është e vërtetë, nuk deshi as ta dëgjonte propozimin. E çuditshme? Varet se për kë, nuk është për dikë që e ka të qartë projektin e jetës, ndjesinë e përkatësisë, që ndihet aq mirë në skuadër edhe pse ndihet i vlerësuar nga klubi.

Të mos harrojmë të gjitha sukseset e zikaltërve, po flasim për skuadrën nënkampione të Europës. Interi sot është në një seri të shkëlqyer rezultatesh dhe Lautaro bashkë me shokët e tij të skuadrës dhe trajnerin, ndihet pjesë e këtij suksesi”,- foli përfaqësuesi i “bomberit”.

Për sa i përket krahasimit me një legjendë si Zanetti, agjenti i Lautaros u shpreh i nderuar që ish-kapiteni ka bërë një paralelizëm të tillë e më tej foli për mundësinë, që Lautaro ka për të fituar një trofe prestigjioz individual, siç është edhe “Topi i Artë”.

“Dashtë Zoti, do të ishte një gëzim i pamasë për të gjithë ata që duan ta shohin të lumtur, përveçse një shpërblim botëror për të. Besoj se është në rrugën e duhur për të fituar Topin e Artë. Ai është një lojtar i kompletuar, shënon dhe jep edhe asiste. Ka një teknikë të admirueshme dhe është shumë punëtor”,- tha në përfundim të fjalës së tij, menaxheri i “Demit”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat