Abilaliaj për Dinamon: Është një emër i madh

Futboll

Abilaliaj për Dinamon: Është një emër i madh

Më: 26 nëntor 2023 Në ora: 18:50
Abilaliaj

Trajneri i Partizanit, Arbër Abilaliaj ka folur për sfidën me Dinamon që do të luhet të hënën në stadiumin “Arena e Demave” duke nisur nga ora 17:00

Trajneri i Partizanit, Arbër Abilaliaj ka dalë sot në një konferencë për shtyp duke folur në funksion të ndeshjes me Dinamon, që do të luhet ditën e hënë në stadiumin “Arena e Demave” duke nisur nga ora 17:00.

Keni kujtime me Dinamon, si ish-lojtar, ku në një ndeshje të vitit 2008 humbët titullin. Sa i druheni dinamovitëve?

Dinamo është emër i madh, klub i madh, fanellë e rëndësishme e futbollit shqiptar sepse ka fituar disa tituj kështu që normalisht për historinë që kanë janë mëse të respektueshëm”.

Dy derbi brenda javës. Eshtë i përgatitur Partizani po të kemi parasysh edhe dëmtimet?

“Kohë e gjatë që u mësuam me dëmtimet. Nga i pari te i fundit, futbollistët janë të gatshëm. Dy ndeshje shumë të rëndësishme, që konsolidojnë më shumë lojën tonë dhe psikologjinë, që në momentin që marrim pikë të plota është një bonus i jashtëzakonshëm si nga ana e pikëve dhe psikologjike. Të gjithë futbollistët janë të gatshëm të përballojnë të dyja ndeshjet”.

Çfarë ndryshimesh priten nga Partizani për sfidën e nesërme?

“Nuk e kemi vendosur këtë gjë. Pak ditë kemi pasur mundësi të punojmë, në mos gabojmë dita e dytë. Do i japim një dorë të fundit përgatitjeve, si është gjendja e 2-3 futbollistëve të tjerë për shkak dhe të minutazhit që kanë pasur. Për momentin kemi 2-3 variacione por asgjë nuk është e vendosur përsa i përket qendrave të mbrojtjes. Pjesa tjetër e ekipit besoj është e konsoliduar tashmë”.

Aktualisht Partizani po vuan dëmtimet. Kocijan dhe Grezda nuk ndodheshin në stol me Egnatian. Si është situata me këta lojtarë?

“Me pjesën tjetër nuk stërviten as Sota, as Atanaskoski, mos gaboj dhe Çela. Këto janë në fazë rikuperimi, nuk janë pak, në mos gaboj 7-8. Kurse dihet, Preka ka bërë ndërhyrje kirurgjikale bashkë me Alban Hoxhën. Bytyçi pritet gjithashtu, kështu këto janë dëmtime të rënda. Të gjithë të tjerët që nuk stërviten me ekipin dhe i përmenda më lart, po mundohen të bëhen gati për ndeshjen e radhës”.

Buxhelaj si alternativë e vetme natyrale në krahun e majtë perveç Atanaskoskit u zëvendësua nga Sembene… 

“Ka qenë çështje teknike, mos gabohem. Kishim 2 futbollistë me ekipin përfaqësues U-21. Buxhelaj luajti që nga fillimi 27 minuta dhe nuk mund të luante ndeshjen tjetër direkt në Rrogozhinë ndaj Egnatias. Duke pasur parasysh dhe rrethanat si ishte ndeshja, nuk kishte rregullore të qartë”.

Mehmeti dhe Maguette, por dhe Atanaskoski me Muratajn rrezikojnë derbin me Tiranen, nëse ndëshkohen me kartonë.

“Nuk kemi luksin të injorojmë askënd, nuk luajmë futboll vetëm për derbin me Tiranën, Dinamon apo kushdo. Luajmë çdo 3 ditë për të vlerësuar çdo kundërshtar, për të marrë 3 pikë shumë të rëndësishme, për të implementuar idetë. Kështu nuk është opsion asnjëra. Janë futbollistë që përgatiten për çdo moment.

Është fakt ai, nuk kemi çfarë të bëjmë. Të gjithë futbollistët do të luajnë 200%, jo 100%”.

Sa pritet të mungojnë Bytyçi dhe Preka?

“Të them të drejtën, për Prekën është bërë operimi para 2 ditësh, nëse gjithçka shkon si duhet duhet 6 deri 8 javë, kur për Bytyçin është akoma e panjohur. Është bërë një ekzamimin, por për ndërhyrjen nuk kemi informacion”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat