Trajneri i Mallorcas nuk jep lajme të mira për Vedat Muriqin

Futboll

Trajneri i Mallorcas nuk jep lajme të mira për Vedat Muriqin

Më: 29 nëntor 2023 Në ora: 12:03
Muriqi

Trajneri i Mallorcës, Javier Aguirre ka folur për gjendjen aktuale fizike të Vedat Muriqit.

“Pirati” kishte pësuar lëndim në ndeshjen e Kosovës me Izraelin herët gjatë këtij muaji, ndërsa mjekët kishin konstatuar më pas se 29 vjeçari do të mundë të mungojë deri në 5 javë.

E për gjendjen e përfaqësuesit tonë para duelit të sontëm me Cadizin në La Liga, në konferencë për shtyp foli trajneri i ekipit ishullor spanjoll.

Ai nuk dha lajme të mira për tifozët e Mallorcës pas tërheqjes muskulore që e pësoi ish-futbollisti i Rizesporit, Fenerbahçes e Lazios.

“Ai është keq, është i lënduar me tërheqje muskulore.

Ai e kishte një lëndim që do ta lë gjatë jashtë fushës së blertë, i kanë mbetur edhe tri ose katër javë. Mjeku i klubit thotë se mund të mungojë edhe rreth katër javë.

Në ndeshjet që do t’i luajmë në shtëpi Vedati nuk do të jetë, kjo është e sigurt. Do të shohim se si do të shkojnë këto tri javë për ta parë nëse ai do të jetë në gjendje për të luajtur në Almeria”, u shpreh trajneri Aguirre.

Muriqi është lojtari më i rëndësishëm i Mallorcas në tre sezonet e fundit dhe e ka marrë në qafë këtë ekip në ndeshje të rëndësishme për ta siguruar mbijetesën në La Liga.

Ndërkohë, dje mediat spanjolle raportuan se interesim për Muriqin, i cili ka kontratë me Mallorcën deri në vitin 2027, ka shfaqur Real Betisi.

Klauzola e shkëputjes së kontratës së tij është vendosur 30 milionë euro.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat