Grima: Synojmë maksimumin në dy sfidat e fundit

Futboll

Grima: Synojmë maksimumin në dy sfidat e fundit

Më: 29 nëntor 2023 Në ora: 12:22
Shqipëria

Kombëtarja shqiptare e vajzave prej të hënës është grumbulluar në kryeqytet dhe po përgatitet në prag të dy sfidave të fundit ndaj Irlandës së Veriut dhe Hungarisë të vlefshme për UEFA Women’s Nations League.

Seancat stërvitore po zhvillohen në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit“. Në një prononcim për fshf.org trajneri Armir Grima theksoi se brenda grupit atmosfera është e mirë, ndërsa përsa i përket ekipit, ai tha se ka disa dëmtime por synojnë maksimumin në dy takimet e fundit.

“Atmosfera është e mirë, vajzat janë të mësuara me vazhdimësinë e grumbullimeve dhe ndeshjeve.

Kemi dëmtime, por do të mundohemi që me grupin që kemi, me kontingjentin që kemi t’i përballojmë me sukses ndeshjet.

Realisht janë dy ndeshje që ne duhet të bëjmë mirë, të japim maksimumin dhe të dalim me rezultat pozitiv, pavarësisht se kundërshtarët janë të fortë, megjithatë kemi mundësi që t’i përballojmë me sukses.

Do mundohemi në këto ndeshje që të mos jemi të fundit në grup”, – u shpreh fillimisht trajneri Grima.

Më tej, trajneri Grima deklaroi se bashkë me sektorin e futbollit të femrave në FSHF po punohet për të rinovuar grupin, me synim për të rritur nivelin.

“Unë jam i kënaqur me grupin, normalisht si çdo grup ka nevojë për rinovim.

Po punojmë shumë, bashkë me sektorin e futbollit të vajzave në FSHF, po mundohemi të afrojmë vajza të tjera pranë skuadrës që të kemi sa më shumë elemente cilësore për të rivalizuar njëra–tjetrën dhe të mos jemi me mungesa që pastaj na kushtëzojnë në objektivat tona.

Mendoj që kemi bërë mirë, janë ndeshje që kanë rëndësi për ne, kemi luajtur kundër kundërshtarëve të fortë dhe i kemi përballuar mirë këto ndeshje.

Kemi treguar që jemi në rritje, por normalisht na duhen edhe rezultate dhe mendoj që do na vijnë në këto dy ndeshje që kemi përpara”, – përfundoi trajneri Grima.

Shqipëria e vajzave luan ndeshjen e radhës në UEFA Women’s Nations League ndaj Irlandës së Veriut më datë 1 dhjetor, me sfidën që nis prej orës 17:00 në stadiumin “Air Albania”.

Takimi i fundit në grup do të jetë kundër Hungarisë më 5 dhjetor, në stadiumin “Hidegkuti Nándor” në ora 17:00.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat