Partizani përballet me Tiranën

Futboll

Partizani përballet me Tiranën

Më: 30 nëntor 2023 Në ora: 11:41
Partizani

Para disa vitesh, kur Borusia Dortmund “pushtonte” Gjermaninë dhe befasonte gjithë Europën, beniaminët e strategut Jurgen Klop merituan nofkën “fëmijët e tmerrshëm”.

Jo se ishin fëmijë në të vërtetë, por sepse ishin një skuadër që luante shpejt, ishte shumë e vrullshme dhe herëherë i bënte ndeshjet të dukeshin vërtet si një lojë fëmijësh, duke i dominuar dhe duke u argëtuar me kundërshtarët.

Në atë kohë “fëmijët” ishin emra si Rojsh, Gëce, Levandovski apo Humels, që nuk njiheshin derisa Klop i bëri bashkë.

Mund të duket një krahasim i çmendur, por një ekuivalent i atij ekipi është edhe Partizani, një skuadër mjaft e re, që në përbërje ka disa “fëmijë të tmerrshëm”, të cilët nuk lënë dy gurë bashkë në zonën e kundërshtarit. Janë pikërisht këta “çunakët”, që kanë udhëhequr skuadrën në një ecuri mbresëlënëse, në një kohë që liderët “ranë” njëri pas tjetrit për shkak dëmtimesh. E tashmë këta të fundit duhet të luftojnë për një vend në formacion ndaj… fëmijëve.

“FËMIJËT” – Sa herë Partizani është zënë ngushtë, në apel janë thirrur të rinjtë e mënjanuar më parë. E në fund ata kanë arritur të bëjnë detyrën si duhet, ndoshta edhe më mirë se ata që konsideroheshin titullarë absolutë. “Kryetari” i “fëmijëve të tmerrshëm” është Maget Gueje. I lënë në plan të dytë në dy sezonet e shkuara, këtë sezon 20-vjeçari është shndërruar në lider të ekipit. Kush e ka parë në fushë, thotë: “Ky çuni do të shkojë shumë lart”.

Por nëse Magetit ia dinin aftësitë që kur e morën para më shumë se dy vitesh, Bintsukën e kishin nënvlerësuar dhe e nisën menjëherë në huazim. Por me t’u kthyer, kongolezi 21- vjeçar tregoi se është një “gjahtar” tipik, i pamëshirshëm para portës. E përveç tij, një tjetër djalosh që sa herë i janë dhënë minuta e ka shpërblyer, është Albers Keko.

Ngjan shumë me Skukën, por ndoshta mund të bëhet edhe më i mirë. Adnard Mehmeti, Marçelino Preka dhe Saliu Sembene, gjithashtu kanë bërë mirë, megjithëse për ta mund të themi se i njihnim edhe më parë dhe ua dinim aftësitë. Gjithsesi, shkodrani nuk luan dot në këtë derbi.

Përveç emrave që na është mësuar veshi, në të ardhmen do të dëgjojmë shpesh edhe për Luis Birçajn dhe Andi Janjevën. Ky i fundit tregoi cilësi ndaj Dinamos, ndërsa për Birçajn, me siguri Abilaliaj është penduar që e aktivizoi aq vonë ndaj Dinamos. “Fëmijët e tmerrshëm” janë gati të bëjnë “rrëmujë” sërish në derbi, ashtu siç ndodhi herën e parë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat