Atalanta - Sporting ndajnë pikët, Sparta Prague e Laçit triumfon ndaj Betis

Futboll

Atalanta - Sporting ndajnë pikët, Sparta Prague e Laçit triumfon ndaj Betis

Më: 30 nëntor 2023 Në ora: 21:56
Pamje nga ndeshja Atalanta-  Sporting

Mbrëmjen e kësaj të enjte nisën sfida e raundit të pestë në fazën e grupeve të Europa League.

Atalanta-Sporting ishte një nga përballjet më interesante, me dy skuadrat që ndajnë pikët në takimin e raundit të pestë në fazën e grupeve të Europa League, me ekipin e Berat Gjimshitit që siguron fazën tjetër.

Sfida e luajtur në “Gewiss Stadium” ishte shumë e luftuar, me vendasit që patën mundësinë për ta zhbllokuar në minutën e 8’, por pas verifikimit në VAR goli i Scamacca u anulua për pozicion të parregullt.

Megjithatë në minutën e 23’ Scamacca gjeti sërish rrugën drejt rrjetës dhe këtë herë realizoi në mënyrën më të mirë të mundshme, duke i dhënë avantazhin Atalanta-s.

Miqtë tentuan të kundërpërgjigjeshin dhe ia dolën më së miri në minutën e 56’ me Edwards.

Kapiteni i kombëtares shqiptare, Berat Gjimshiti mban rolin e titullarit të padiskutuar te Atalanta, ndërsa edhe në këtë sfidë tregoi formë të mirë.

Në fund gjithçka u mbyll me rezultatin 1-1, me Atalanta-n që kryeson grupin D me 11 pikë, teksa Sporting pozicionohet në vend të dytë me 8 pikë.

Ndërkohë Sparta Prague e Qazim Laçi mori fitoren 1-0 ndaj Betis, në një sfidë shumë të luftuar.

Pjesa e parë u mbyll me porta të paprekura, me golin e vetëm të këtij takimi që u realizua në minutën e 54’ nga Haraslin, që u dha fitoren vendasve.

Mesfushori “kuqezi”, Laçi e nisi këtë ndeshje në rolin e titullarit dhe tregoi një formë të mirë.

1-0 dhe Sparta Prague renditet në vend të tretë të grupit C me 7 pikë, duke qëndruar fuqishëm në lojë për kualifikimin në fazën tjetër, teksa Betis kryeson grupin me 9 pikë.

AEK Athens-Brighton mbyllet me rezultatin 0-1, Freiburg-Olympiacos me rezultatin 5-0, Maccabi Haifa-Rennes me rezultatin 0-3, Strum Graz-Rakow me rezultatin 0-1 dhe TSC-West Ham me rezultatin 0-1.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat