Struga Trim Lum synon fitore

Futboll

Struga Trim Lum synon fitore

Më: 2 dhjetor 2023 Në ora: 23:25
Pamje nga një ndeshje

Hadis Tairi në ndeshjen e mesjavës kundër Vardarit, ishte një ndër futbollistët më të dalluar, duke dëshmuar edhe njëherë tjetër cilësitë e tij të larta që posedon ky 18-vjeçar.

Ai kundër “kuqezinjëve” nga Shkupi shënoi golin debutues me fanellën e Struga Trim Lum, ndërsa gjithashtu edhe përfitoi penaltinë, të cilën në gol e kishte shndërruar Vangjel Zguro.

Paraqitjet e Hadisit kanë kënaqur edhe trajnerin Shpëtim Duro, që tashmë ka një lojtar shtesë në krahun e majtë, aty ku mjaft mirë ndeshjen e fundit koordinoheshin bashkë me Zguron.

"Ndeshja me Vardarin, tashmë i takon së kaluarës, ndërsa nesër na pret një transfertë e vështirë në Kavadar, aty ku do të takohemi me Tikveshin", shkruan në faqen e FC Struga.

“Ne jemi Struga Trim Lum, jemi kampion në fuqi dhe me një bagazh të tillë pas vetes, në çdo ndeshje, pa marrë parasysh kundërshtarin që kemi përballë, shkojmë për të fituar dhe për të marrë 3 pikët e plota. Ashtu do të jetë edhe nesër kundër Tikveshit në Kavadar, një terren mjaft i vështirë, ku shumë skuadra këtë edicion kanë dështuar të marrin pikët e plota.

Megjithatë neve kemi llogaritë tona dhe jemi në garë për titull, ashtu që nëse vërtetë dëshirojmë të përsërisim suksesin e vitit të kaluar, atëherë patjetër që edhe në këtë ndeshje duhet menduar pozitivisht dhe tek fitorja, që do na shpinte drejt pozitës së parë, duke pasur parasysh se këtë xhiro, dy skuadrat që janë para nesh, FC Shkupi dhe Shkëndija, ndeshen mes vete.

Besoj se kjo është edhe një shtytje tjetër që të japim më të mirën në këtë ndeshje dhe gjithë fokusin tonë ta kemi tek fitorja” – u shpreh Hadis Tairi, i cili këtë edicion me skuadrën tonë ka zhvilluar 6 ndeshje, dy prej të cilave si titullarë, edhe atë që të dyja kundër Vardarit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat