Derbi Tirana - Partizani premton spektakël

Futboll

Derbi Tirana - Partizani premton spektakël

Më: 3 dhjetor 2023 Në ora: 11:59
Pamje nga një ndeshje

Derbi është gjithmonë një derbi, sidomos nëse luhet në ambientin e mrekullueshëm të stadiumit “Air Albania”, që vijon të tregojë prej disa javësh historinë e kualifikimit madhështor të Kombëtares sonë në Europianin “Gjermani 2024”.

Në stadiumin e triumfit shqiptar do të vihen përballë njëri-tjetrit Tirana e Partizani, dy ekipet kryesore të kryeqytetit që këtë vit e gjejnë veten duke ndjekur nga pas një Egnatia befasuese e të mrekullueshme. Tirana është 9 pikë larg kreut të klasifikimit dhe kjo ndeshje do të jetë si një betejë finale për bardheblutë, edhe pse ka ende shumë takime për t’u luajtur.

Kjo ndeshje pritet të jetë shumë e hapur dhe ofensive, sipas statistikave.

Tirana është skuadra që ka përqindjen më të lartë të mbajtjes së topit në kampionat, me një mesatare prej 58%, ndërsa nuk është keq as Partizani, me një mesatare prej 53%.

Mbi të gjitha, Partizani dhe Tirana janë dy skuadra që gjuajnë më shumë në portat kundërshtare: më shumë se 12.5 gjuajtje në portë nga Partizani dhe thuajse 12 për Tiranën. Tirana është gjithashtu skuadra që në të gjithë kampionatin e çon më së shumti topin në zonën kundërshtare, më shumë se 17 herë në ndeshjet përkatëse. Dy ekipet kanë statistika mjaft pozitive në fazën ofensive, por nuk janë skuadrat me mbrojtjet më të mira, duke u renditur në vendin e pestë e të gjashtë në kampionat, si ekipet që pësojnë më shumë gjuajtje në portë (rreth 10 gjuajtje për çdo ndeshje).

Nëse duhet gjetur një arsye se pse pësojnë shumë gjuajtje në portë, mund të thuhet se këto dy skuadra nuk kanë shumë ekuilibër mes fazës sulmuese dhe asaj mbrojtëse. Në stadiumin “Air Albania” më 3 dhjetor pritet një derbi i fortë, me dy skuadra që sulmojnë mirë dhe që nuk janë të pamposhtura në mbrojtje. Spektakli është i garantuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat