Në çfarë masash do luhet sfida me Marseille?

Futboll

Në çfarë masash do luhet sfida me Marseille?

Më: 5 dhjetor 2023 Në ora: 15:07
Grosso

Pas më shumë se një muaj nga data e planifikuar, Marseille-Lyon do të luhet mbrëmjen e 6 dhjetorit.

Takimi i vlefshëm për raundin e 10-të të kampionatit francez, që sipas kalendarit do të luhej mbrëmjen e 29 tetorit nuk u zhvillua për shkak të sulmit që tifozët marsejezë i rezervuan skuadrës mike në hyrje të stadiumit “Velodrome”.

Atë mbrëmje, pamjet bënë xhiron e botës, kjo pasi ish-trajneri Fabio Grosso u plagos në pjesën syrit, së bashku me ndihmësin e tij, por pa harruar të gjithë traumën që përjetoi skuadra brenda autobuzit që u godit nga një breshëri gurësh.

Por, sot, vetëm katër ditë pas ngjarjes së radhës, ku një tifozë i Nantes humbi jetën, Federata Franceze e Futbollit ka marrë vendimin final që takimi të luhet sërish në “Velodrome”, me praninë e tifozëve marsejezë, por në krahun tjetër, ata të Lyon-it janë ndaluar të udhëtojnë drejt Marseille-s.

Në mbrëmjen e të mërkurës, futbolli nuk do të jetë gjuha e vetme që do të flitet në Marseille, kjo pasi masat e sigurisë tashmë janë bërë të ditura dhe po flasim për masa shumë të rrepta.

“Skuadra e Lyon-it do të udhëtojë drejt Marseille-s pa një orar konkret dhe do të akomodohet në një hotel, emri i të cilit do të mbahet sekret, ndërsa perimetri i sigurisë do të shtrihet në disa kilometra dhe me forca policore të trefishuara nga mbrëmja e 29 tetorit”-ka bërë me dije Ministria e Brendshme në bashkëpunim me policinë e Marseille-s.

Sa i përket momentit final, pra mbërritjes së autobuzit në stadiumin “Velodrome”, forcat e sigurisë do të jenë të shumta dhe askush nuk duhet të qëndrojë afër perimetrit të shënuar.

Drejtuesit e Lyon nuk e kanë pritur mirë këtë vendim, pasi ata fillimisht kërkuan që ndeshja të mos luhet, por më pas kërkuan një stadium asnjanës, gjë e cila përsëri nuk u pranua, ndërsa në fund, Lyon do të luajë edhe pa praninë e tifozëve.

Vendim ky që ka ngritur shumë pikëpyetje, por tashmë gjithçka është zyrtare dhe Marseille-Lyon do të luhet mbrëmjen e 6 dhjetorit duke nisur nga ora 21:00.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat