Enrique: Nuk kam pse të bind askënd për asgjë

Futboll

Enrique: Nuk kam pse të bind askënd për asgjë

Më: 16 dhjetor 2023 Në ora: 15:24
Enrique

Lojtarët e PSG u larguan me fytyra të gëzuara nga “Signal Iduna Park” pasi u kualifikuan në 1/8 e Champions League. Të paktën, shumica. Mbappe tregoi gjeste të dukshme zemërimi me kërkesën e stafit të Luis Enrique për të mos sulmuar (rrezikuar) për golin e dytë. Një gol i dytë i Borussia Dortmundit mund t’i kishte mbajtur francezët jashtë, por një autogol do t’i bënte gjërat më të lehta.

Trajneri asturian mbajti një konferencë për shtyp për të vlerësuar ndeshjen e radhës në Ligue 1 dhe pyetja për yllin francez ishte e pashmangshme. “Lucho” ka qenë i hapur për këtë çështje: “Nuk kam pse të bind askënd. Kylian Mbappé ka të njëjtën liri në fushë si kur erdha këtu. Ai është një top-lojtar që kontribuon me 50 gola dhe 25 asiste. Kylian nuk luan si ‘9’, ka liri totale”.

Nisur nga këmbëngulja për pozicionin e Mbappe në transfertën e fundit gjermane, trajneri spanjoll ka theksuar idenë se ai është i lirë të marrë vendimet e tij: “Jua përsëris sërish, nuk kam pse të bind askënd. Vendimet e trajnerëve kanë një ndikim, por e vetmja gjë në të cilën fokusohem është të luaj në mënyrën më të mirë të mundshme dhe të përfundoj duke fituar tituj”.

Fokusi kryesor i polemikave midis Mbappé dhe pjesës tjetër të shokëve të tij të skuadrës ishte mungesa e fitores në Dortmund. Ylli i “Les Bleus” nuk ka dashur të kalojë në 1/8 finale të Ligës së Kampionëve si i dyti në grup, për këtë arsye ka insistuar të shkojë drejt golit të fitores. Nga stoli dhe bashkëlojtarët e tjerë si Achraf ngritën duart me gjeste të qarta duke kërkuar qetësi. Parizienët u kualifikuan me barazim dhe rezultati i Newcastle ishte i favorshëm për interesat e tyre.

Luis Enrique ka pranuar se e ka marrë vendimin për të treguar kujdes në prapavijë, që të mos pësonin golin e dytë dhe fatal, por jo në mënyrë autoritare: “Nuk ishte vetëm vendimi im, por edhe i ekipit tim. Unë i kuptoj lojtarët që janë të ekspozuar ndaj këtij zhgënjimi. Për një pjesë të madhe të lojës ne duhej të fitonim, ky ishte objektivi”.

Ish-trajneri i Barcelonës, Celtas dhe Romës, ndër të tjera, është i bindur se skuadra e tij do të forcohet kur të mbërrijnë ndeshjet e 1/8 finale të Ligës së Kampionëve: “Ne do të jemi më mirë. Nuk ishte guxim ta thoja këtë ditën tjetër. Të gjitha skuadrat e mia kanë qenë më të mira ndër vite”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat