Munishi: “Ilir Daja s’i njeh meritat e kolegëve që kanë punuar te Ballkani, unë jam kryesori, baba, Guardiola, Capello…”

Futboll

Munishi: “Ilir Daja s’i njeh meritat e kolegëve që kanë punuar te Ballkani, unë jam kryesori, baba, Guardiola, Capello…”

Më: 18 dhjetor 2023 Në ora: 11:50
Ismet Munishi

Ismet Munishi e ka përgëzuar trajnerin Ilir Daja për punën që e ka bërë deri tash tek Ballkani, duke ia përmendur sukseset dhe faktin se e ka dërguar Superligën e Kosovës në një dimension tjetër.

Por, analisti i emisionit sportiv “Favorit” në T7 thotë se nuk e pëlqen mënyrën se si trajneri shqiptar nuk e përmend asnjëherë kontributin dhe punën e që kanë bërë paraardhësit e tij në ekipin nga Suhareka, në arritjen deri ku ka ardhur këtu.

Munishi madje njihet si një arkitekt i ekipit “Portokalli” pasi prej tij ka filluar ngritja e Ballkanit, i cili sot e sheh veten dy herë kampion i Kosovës dhe dy herë pjesëmarrës në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës.

“Tash le të dalin dhe ta mbrojnë aq shumë (Ilir Dajën), këta e mbrojnë kur luajnë mirë në Evropë, intervista e gjana. Njeriu është i lodhur, ka pasur ngarkesa shumë të mëdha, normalisht krejt janë lodhur, jo udhëtimet, përgatitja për ndeshje, analiza e lojës, kampionati kah fundi. Menjëherë pas kartonit të kuq dhe pas përjashtimit dhe pas fundit të lojës, ky ka prit që ta fitojë ndeshjen me Prishtinën. Krejt trajnerët kur fitojnë janë burra të mirë e të sjellshëm, ndërsa e tregojnë karakterin kur humbin”, deklaroi fillimisht trajneri.

“Tu e pasur parasysh suksesin, është e mirë ardhja e tij në Kosovë, është i pari që e ka futur një klub në një kompeticion shumë serioz, i ka dhënë dimension tjetër ligës së Kosovës. Dobësia e tij është që s’ju ka njoft meritat kolegëve që kanë punuar aty. Unë jam kryesori, baba, Guardiola, Capello, çka të dush, unë jam aty. Deklaratën (ankesat e Ilir Dajës pas lojës) s’bon me ja nxon për bazë, e ka dhënë kur ka qenë shumë i tensionuar, ka qenë nervoz. Neve trajnerëve na duhen 2-3 orë për me u qetësu pas lojës, për me qenë ai i vërteti”, vazhdoi Munishi.

Ai madje insiston se ata që e përmendin Federatën, kjo e fundit mund t’ju hakmerret, duke aluduar në ankesat e Ilir Dajës pas lojës me Prishtinën, sidomos për gjyqtarë dhe për orar të ndeshjeve.

“Tek ne s’bën me përmend Federatën, tek ne bën çka të bësh, nuk bën me përmend Federatën. Duhet të kenë kujdes sepse hakmerren”, përfundoi Munishi. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat