Daja feston 500 ndeshje si trajner

Futboll

Daja feston 500 ndeshje si trajner

Më: 19 dhjetor 2023 Në ora: 13:26
Daja

E mërkura do të jetë një ditë speciale për Ilir Dajën. Tiranasi i mirënjohur këtej dhe andej kufirit mes shqiptarëve, do të prekë një kulm të ri për karrierën e tij, teksa ndaj Dritës do të regjistrojë shifrën me një simbolikë shumë të veçantë, 500 ndeshje si trajner.

Një histori që nisi në shtator të 2004 në stolin e Pogradecit dhe vijon me shkëlqimin më maksimal në drejtimin e Ballkanit, ndërmjet të cilave numëron 257 fitore, 122 barazime dhe 120 humbje.

Në vitin e 20 në këtë profesion, karrierë e ndërtuar në 8 klube, në 12 kapituj Ilir Daja ia ka dalë t’i imponohet opinionit sportiv me një identitet të qartë loje, e cila e ka shpërblyer me trofetë më të rëndësishëm dhe suksese të shumta.

7 trofetë e fituar, ku veçohen 5 titujt kampion me Elbasanin, Dinamon, Skënderbeun dhe dy rradhazi me Ballkanin, si dhe një kupë me Skënderbeun dhe një Superkupë me Ballkanin e vendosin Ilir Dajën në listën e ngushtë të trajnerëve më të titulluar në historinë e futbollit tonë.

Një kapitull mjaft i rëndësishëm dhe më me peshë në karrierën e Ilir Dajës janë konkurimet në Europë, ku 48 ndeshjet e drejtuara i kanë dhënë rekordin e trajnerit shqiptar në garat europiane. Por jo vetëm numri i ndeshjeve, por edhe i sukseseve të arritura, pasi bilanci me 22 fitore, 8 barazime dhe 18 humbje) i kanë mundësuar të kualifikohet në 11 nga 15 turet europiane, si dhe të luaj në tre sezone në fazën e grupeve të garave europiane.

Gjithshtu një pjesë e rëndësishme e punës së trajnerit 57-vjeçar, është puna jo vetëm në grup, por e rritjes së nivelit sportiv të shumë futbollistëve, të cilët tanimë konkurrojnë apo janë kandidatë për t’u trasferuar në kampionate më elitare.

Të gjitha këto, në vigjilje të ndeshjes jubilare numër 500 në karrierë, e bëjnë Ilir Dajën, trajnerin më të vlerësuar për momentin dhe një nga më të mirët në historinë e futbollit në trevat mbarëshqiptare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat