Një grua që “urrente” futbollin do debutojë sot si gjyqtare

Futboll

Një grua që “urrente” futbollin do debutojë sot si gjyqtare

Më: 23 dhjetor 2023 Në ora: 12:35
Sem Alison

Sot në 23 dhjetor do të shkruhet historia. Rebeka Uellç do të bëhet gjyqtarja e parë femër që do të gjykojë një ndeshje të Premier Ligës. 40-vjeçarja do të japë drejtësi në ndeshjen mes Fulhamit dhe Bërnlejt në “Craven Cottage”.

Vetëm pak ditë më vonë, Sem Alison do të drejtojë ndeshjen mes Shefilld Junajtidit dhe Lutonit dhe do të bëhet arbitri i parë me ngjyrë që nga koha e Uriah Renit 15 vjet më parë. Është një moment historik për elitën e futbollit anglez, që u duartrokit edhe nga trajneri i Njukasëllit, Edi Hau: “Mendoj se është një moment i shkëlqyer. Për mua, duhet të bazohet në aftësinë dhe jo gjininë për të arbitruar dhe unë e mbështes plotësisht atë”.

Ndërsa shefi i arbitrave të Premier Ligës, Hauard Ueb, tha për “Sky Sports”: “Ata të dy janë pjesë e grupit të zhvillimit të ‘PGMOL’, me arbitra të talentuar që përshkojnë shpejt këtë rrugë”.

Por rruga e Rebekës për në majë ishte larg asaj tradicionale. Ajo thotë se i hyri arbitrim gabimisht, përpara se të gjykonte ndeshjen e Ligës së Dytë mes Harrogejt dhe Port Vejl në 2019.

Deri atëherë ajo kishte punuar si administratore për Sistemin Shëndetësor Britanik. “Ajo punë është pjesë e rëndësishme për faktin që unë jam këtu, për shkak të fleksibilitetit që më dhanë”, zbuloi Uellç.

“Kam punuar me kohë të plotë, por nëse më duhej pushim për të shkuar në ndeshje apo jashtë vendit me UEFA-n, ata ishin gjithnjë të mirëkuptueshëm. Asnjëherë nuk më është dashur të them se nuk do të gjykoj një ndeshje, sepse më duhet të shkoj në punë”.

Ajo punoi në shërbimet e biznesit të Sistemit Shëndetësor Britanik për 17 vite, por shpreson të rikthehet sërish një ditë: “Vendosa disa vite më parë të bëj një pushim, sepse doja t’i jepja gjithçka futbollit dhe të isha në një pozicion që kur të tërhiqesha, të ulem dhe them se dhashë 100% dhe kjo ishte ajo që arrita. Shpresoj se kur të tërhiqem nga arbitrimi, do të kthehem në Sistemin Shëndetësor dhe ata të më pranojnë”.

Uellç nuk ka dashur kurrë që të bëhet gjyqtare. Një shaka me një arbitre të UEFA B, Lindsi Robinson, e futi në valle dhe bëri që ajo të niste të gjykonte pa ndeshjet amatore të së dielave. “Lindsi gjykonte disa nga ndeshjet tona kur unë luaja futboll të dielave”, tregon ajo për “Telegraph”.

“Unë i thosha se arbitrimi është ‘kaq i lehtë’ dhe se kuptoj pse gjyqtarët gabojnë gjithnjë dhe ajo tha: ‘mirë, nëse mendon se është kaq e lehtë, shko dhe bëje’ dhe kjo ishte e gjitha. Pa ndonjë ambicie për të gjykuar, thjesht mendova të shkoja dhe të bëja kursin dhe të mësoja pak më shumë për rregullat e lojës. Pastaj mora bilbilin, bëra pesë ndeshjet e mia të para dhe ndalova së luajturi për të filluar të bëhesha gjyqtare. Është një rol që njerëzit e shikojnë dhe mendojnë ‘pse do të donit të bëheshit arbitre?’ por në fakt shpërblimet që merrni prej tij, më kanë ndryshuar plotësisht mua si person, ka ndryshuar plotësisht jetën time, për mirë”.

Ajo tregon se deri tani nuk është përballur me abuzime. Ajo ndihet e respektuar nga lojtarët dhe beson se ka një ndryshim midis abuzimit dhe mospajtimit me vendimet.

“Shumë njerëz mendojnë se si arbitër dal të shtunën dhe për 90 minuta marr një lum abuzimesh, por kjo në fakt nuk është e vërtetë. Unë ndihem e respektuar nga lojtarët në 11 vitet e mia. Nuk ka ndodhur kurrë që dikush të hyjë dhe të abuzojë vetëm sepse jam një gjyqtare femër.

Kam pasur njerëz që nuk janë dakord me mua për shkak të natyrës së punës që bëj, por jo më shumë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat