Mourinho: Për Bonuccin vendosën tifozët, e di si luan Allegri 

Futboll

Mourinho: Për Bonuccin vendosën tifozët, e di si luan Allegri 

Më: 29 dhjetor 2023 Në ora: 12:03
Mourinho

Roma udhëton në Torino të shtunën teksa e pret sfida delikate ndaj Juventus në “Allianz Stadium”.

Një ndeshje shumë e rëndësishme për kryeqytetasit të cilët duhet të shmangin hapat fals për të mos humbur terren me vendin e katërt, që garanton pjesëmarrjen në Champions League sezonin e ardhshëm.

Në konferencën për shtyp, trajneri Jose Mourinho theksoi se Marash Kumbulla nuk do të jetë pjesë e skuadrës për sfidën me Juventus, ndërsa lajmëroi rikthimin e Paulo Dybala pa saktësuar nëse argjentinasi e nis si titullar apo jo ndaj ish-skuadrës së tij.

“Problemet në prapavijë? I dinim shumë mirë vështirësitë në repartin e mbrojtjes, e dimë edhe që Ndicka do të largohet në janar për të luajtur Kupën e Afrikës. Po ashtu e dinim edhe që Kumbulla do të ishte jashtë pjesën e parë të sezonit, ashtu si Smalling. Meqë jemi te Kumbulla, ai nuk do të jetë pjesë e skuadrës për ndeshjen me Juventus.

Nuk dua të mendoj për merkaton sepse shpërqëndrohem, por ju them se sa i përket Bonuccit është mbyllur gjithçka. Zemra e klubit janë tifozët dhe nëse diçka nuk iu pëlqen atyre, atëherë vështirë që të realizohet.

Sa i takon ndeshjes, ndaj Juventusit duhet shumë personalitet. Ndaj tyre nuk mjafton vetëm taktika apo ana fizike. Juventus është mësuar që të luaj gjithnjë për t’i fituar ndeshjet, pastaj Allegri mbetet Allegri. E dimë shumë mirë se çfarë presim nga Juventus dhe Allegri. E cilësojnë si trajner që mendon vetëm për rezultatin dhe për mua është aspekti më pozitiv i futbollit, pavarësisht se disa e shohin si një aspekt negativ.

Juve merr rezultatin, mbrohet mirë dhe është shumë e fortë në kundërsulm, e po ashtu edhe në goditjet standarte. Ata luajnë një ndeshje në javë dhe kjo do të thotë se bëjnë disa orë shtesë stërvitje, jo më kot janë në garë kundër Interit për titullin.

Dybala? Ndjesia është që Dybalën do ta kemi në dispozicion, por nuk mund të flas nëse luan si titullar apo e nis nga stoli. Shpresoj që gjithçka të shkoj mirë edhe në stërvitjen e fundit e më pas do të vendos”, u shpreh Mourinho.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat