Madrilenët paralajmërojnë kanadezin

Futboll

Madrilenët paralajmërojnë kanadezin

Më: 10 janar 2024 Në ora: 17:34
Dejvis

Mungesa e alternativave serioze në tregun e transferimeve ka lënë duarkryq deri në këtë fazë kampionët e Bajernit. Rekordmenët janë duke studiuar një sërë pistash të ndryshme. Reduktimi i opsioneve në prapavijë ka shtuar dhimbjen e kokës për Tomas Tuhel. Por skena e fundit me siguri do të shkaktojë “zhurmë”, jo të vogël te gjigantët nga Mynihu.

“Sky Sport.de” raporton se Reali i Madridit i ka kërkuar Alfonso Dejvisit të mos rinovojë kontratën e re me bavarezët, me qëllimin “shtypjen” e pretendimeve të bordit më Hënes në krye, ndonëse rregullorja thotë se çdo ekip i interesuar për një lojtar të caktuar ka të drejtë të hyjë në negociata 6 muajt e fundit të kontratës ekzistuese. Më tej shtohet se “galaktikët” kanë kohë që ndodhen në kontakte të vazhdueshme me “raketën” kanadeze.

Prestigjiozja iberikase “AS, para disa javësh zbërtheu planin e presidentit të Realit të Madridit, Florentino Perez, rreth emrave që priten të zbarkojnë në Madrid, aty ku Kilië Mbape dhe Alfonso Dejvis qëndrojë në majë, ndonëse mbrojtësi nuk ka gjasa të transferohet në merkaton aktuale.

Duhet thënë se Bajerni i Mynihut kurrë nuk është zënë kaq ngushtë nga ekipet kundërshtare për zhvendosjen e lojtarëve nga gjiri i tij dhe aq më pak të kalojë qetësisht këtë situatë. Robert Levandovski mori disi trajtën e problematikut kur insistoi në kalimin te Barcelona verën e vitit 2022, por jo si “telenovelë”, ashtu siç po ndodhë me të ardhmen e futbollistit me numër “19” te Bajerni. Kampionët e Bundesligës janë identifikuar si një klub hermetik në raportimin e problemeve të brendshme në media apo pakënaqësitë e lojtarëve, ndërsa rasti “Dejvis” ka thyer çdo limit. Në ditët në vijim pritet të ketë edhe një reagim nga klubi, nëse raportimi në fjalë është aludim apo do të merren masa ndëshkimore kundrejt Alfonsos.

Përfundimi i kontratës përkon me verën e vitit 2025 dhe vet protagonisti i kësaj tabloja ka kërkuar fillimisht 19 mln euro në rast rinovim, shifër që do e ngjiste në grupin e lojtarëve që paguhen më shumë në këtë ekip. Deri në këtë pikë palët nuk e kanë gjetur gjuhën e përbashkët e ku me shumë mundësi ky skenar s’ka për të ndodhur. Mediumi ekspert “Transfermarkt” e vlerëson kartonin e 23-vjeçarit 70 mln euro.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat