Osmani kërkon përforcime

Futboll

Osmani kërkon përforcime

Më: 17 janar 2024 Në ora: 11:36
Vllaznia

Vasko Kaleziç është emri më i fundit që qarkullon në klubin e Vllaznisë si përforcim i mundshëm në merkaton e janarit.

Bëhet fjalë për një mesfushor me tipare sulmuese, i cili në pjesën e parë të këtij sezoni ka luajtur për Rudarin në Malin e Zi.

Me këtë të fundit 29- vjeçari është aktivizuar në 16 ndeshje, duke shënuar dy gola dhe dhënë një asist.

Bëhet fjalë për një fantazist që mund të përshtatet në të gjitha pozicionet e repartit ofensiv. Kaleziç ka eksperiencë në disa vende në Europë, duke luajtur për klube në Norvegji, Moldavi, Serbi, Bosnje, Qipro dhe Zvicër.

Fantazisti malazez ka qenë në skuadra si Honefos, Baerum, Dacia, Anagenisi, Vojvodina, Velez dhe Yverdon Sport. Në vendin e tij, përveç Rudarit, ka luajtur edhe për OFK Titogradin, Zetën dhe Buduçnostin.

Kaleziç ka qenë pjesë e Kombëtares së Malit të Zi deri tri vite më parë. Mësohet se bisedimet mes tij dhe drejtuesve kuqeblu kanë disa ditë që kanë nisur, por ende nuk mund të flitet për një marrëveshje. Pritet që fillimisht lojtari të prishë me mirëkuptim kontratën me Rudarin, në mënyrë që t’i hapet rruga e transferimit te Vllaznia.

Lojtari është pëlqyer nga trajneri Qatip Osmani, teksa mund t’i bëjë punë në rolin e një sulmuesi të dytë. Pra, një numër 10 tipik që do të bënte lidhjen mes mesfushës dhe sulmit.

Gjithsesi, mbetet për t’u parë se si do të rrjedhin ngjarjet. Në të njëjtën kohë, Vllaznia është në bisedime edhe me sulmuesin e krahut, Vitor Feizhao. Braziliani ka luajtur deri dy vite më parë te Kukësi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat