“Zonja e Vjetër” nuk shijon vendin e parë që nga maji 2020

Futboll

“Zonja e Vjetër” nuk shijon vendin e parë që nga maji 2020

Më: 21 janar 2024 Në ora: 11:56
Juventus

Juventusi ndoshta nuk bind dhe nuk ka nja stil të qartë loje si Interi…

Nuk ofron një futboll të bukur siç bën shpesh Interi… Nuk shënon me breshëri sa Interi… Dhe mbi të gjitha nuk duket aq favorit për fitoren e titullit kampion sa Interi…

Por ndërkohë Juventusi ka shansin që më në fund të marrë vendin e parë të Serisë A dhe ta shijojë atë për më shumë sesa vetëm pak orë, siç ka ndodhur në një rast në këtë sezon, duke qenë se ditën tjetër i është përgjigjur pikërisht…

Interi! Skuadra e Masimiliano Alegrit do të udhëtojë në Leçe të dielën, teksa në stadiumin “Via del Mare” do të kërkojë tri pikët e radhës për të kompletuar parakalimin në renditje.

Sigurisht, edhe nëse fiton dhe kryeson, ky do të jetë vetëm një aspekt virtual, sepse ndërkohë sfida në program mes zikaltërve dhe Atalantës për këtë javë është shtyrë për në 28 shkurt, si rrjedhojë e pjesëmarrjes së Asllanit me shokë në Superkupën e Italisë.

Gjithsesi, nëse Juventusi do të kompletojë qoftë edhe pse virtualisht misionin “parakalim” ky do të jetë një sinjal jo vetëm shumë i fortë, por edhe diçka që vetë “Zonja e Vjetër” dhe tifozët e saj nuk e shijonin prej gati 4 vitesh.

Në saktësisht bëhet fjalë për 44 muaj të kaluar nga hera e parë kur Juventusi kryesonte i vetëm renditjen e Serisë A.

Po flasim për javën e fundit të kampionatit italian 2019-2020, në muajin maj, kur Kristiano Ronaldo dhe Mauricio Sarri i dhuronin torinezëve titullin e fundit kampion, përpara Interit të Antonio Kontes që merrte masat ndaj Juventusit, përpara se ta ngrinte ai trofeun në sezonin pasardhës (2020- 2021).

Për këtë arsye, dueli në Leçe është një 90 minutësh që nuk mund dhe nuk duhet gabuar në asnjë moment nga ana e bandës së Masimiliano Alegri. Fundja, edhe nëse kryesimi i tyre në rast suksesi do të ishte virtual, Juventusi mund ta gjente veten që të shkonte në duelin direkt me zikaltrit, më 4 shkurt më “San Siro” si e parë dhe pa dyshim që mund të shtonte disi dozën e presionit ndaj Interit, pasi me një tjetër triumf bardhezi, e diela e parë e muajit të ardhshëm mund të gjente “Zonjën e Vjetër” në 5 pikë mbi favoritët absolutë për Serinë A.

Prandaj, këto dy javë të kampionatit italian do të jenë të gjitha për t’u ndjekur me shumë vëmendje dhe emocion, lidhur me atë çfarë do të ndodhë

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat