Më të mirët e javës së 20-të të Superiores

Futboll

Më të mirët e javës së 20-të të Superiores

Më: 21 janar 2024 Në ora: 19:58
Formacionet

Kategoria e Parë luajti javën e 20-të me 4 ndeshje të zhvilluara teksa sfida Skënderbeu – Dinamo u shty për shkak të dëborës në Korçë.

Rezultate surprizë, gola e kartona të kuq nuk munguan as këtë javë e cila filloi me goleadën e Egnatias ndaj Kukësit, kulmoi me barazimin spektakolar të Teutës ndaj Tiranës dhe u mbyll me përmbysjen e çmendur të Laçit ndaj Partizanit në shtëpi.

Në këtë panoramë të kësaj jave, Newsport.al ka përzgjedhur si gjithmonë formacionin më të mirë me lojtarët protagonistë si dhe trajnerin më të mirë të kësaj jave.

-FORMACIONI-

Mario DAJSINANI (Laçi) – Të mos ishte për atë gol të Mensah në fillim, mund të quhej një ndeshje perfekte për gardianin e Laçit. Në fakt edhe në atë rast nuk kishte ç’të bënte pasi mbrojtja e la zbuluar. Që nga ai moment pritjet e tij u bënë faktor kryesor deri në fund të takimit. ‘Pa Dajsinanin kushedi si shkonte ndeshja’, tha Josa dhe kaq mjafton për të kuptuar cilësitë e këtij lojtari.

Milos STOJANOVIC (Vllaznia) – Shënoi golin e vetëm të takimit, një gol me vlerë 3 pikësh duke i dhënë fitoren e 5-të rradhazi Vllaznisë e cila parakalon Tiranën në renditje dhe ngjitet në vendin e 3-të.

Renato MALOTA (Egnatia) – Në një ndeshje të konsoliduar në prapavijë me Kukësin që nuk rrezikonte thuajse në asnjë moment, Malota provon aventura ofensive duke dalë shpeshherë përpara. Shpërblehet me një gol duke u gjendur në vendin dhe kohën e duhur brenda zonës dhe nis goleadën e rrogozhinasve.

Florjan PËRGJONI (Tirana) – Ndeshje solide nga ana e tij. Bëri detyrat mbrojtëse dhe produktiv edhe në fazën ofensive. Sparkatat e tij e kanë shpëtuar më shumë se 1 herë Tiranën nga goli, sidomos në atë rastin e Klejdi Dacit i cili 5-6 metra larg portës, u bllokua nga Përgjoni në momentin e fundit.

Serxho UJKA (Laçi) – Motorri dhe shpirti i Laçit, pa të në fushë kurbinasit janë të përhumbur. Bën gjithçka dhe gjithçka e bën më së miri. Luan në çdo fazë të lojës, mbron siç duhet, krijon raste dhe shpeshherë provon t’i finalizojë vetë ato. Dhuroi 2 asiste për të përmbysur ndeshjen. Nëse do të shënonte, do ta ‘bajaste fare’.

FERNANDO Medeiros (Egnatia) – Ashtu si Ujka, braziliani është jetik për Egnatian. Me Aleksin ka formuar një dyshe perfekte, ndoshta më e mira e Superiores. Kontrollon gjithçka në mesfushë, filtron topat, nis aksionet, depërton në mbrojtje dhe krijon për shokët e skuadrës. Së fundmi është kthyer në një gjuajtës të mirë të goditjeve standarte. Shënoi një tjetër penallti, kësaj rradhe jo me panenka.

Ledjo TRESA (Laçi) – Zbulimi i sezonit. Kandidat serioz për të fituar çmimin ‘Lojtari i Ri më i Mirë’ për vitin 2024. Një dëmtim e ndali për disa kohë, por tani është kthyer ai që ishte. Futja e tij në pjesën e dytë ndryshoi totalisht Laçin. Partizani u mbyll në portë dhe Tresa e ‘privatizoi’ krahun e djathtë të fushës. Qershia mbi tortë ishte ai gol në frymën e fundit që i dha 3 pikë të arta Laçit.

Regi LUSHKJA (Tirana) – Pozicioni i ri duket se ringjalli Lushkjen e vjetër. Luajti si një 9-sh falls në mungesë të sulmuesve dhe bëri mjaft mirë. Shënoi një kryevepër nga më shumë se 30 metra dhe krioi të tjera raste të rrezikshme. Kur është më afër portës jep më të mirën e tij, jo më kot, ndeshja e fundit ku shënoi gol ishte ndaj Dinamo Batumi ku Shehi i dha sërish detyra ofensive.

Matias LLOCI (Teuta) – Nga ‘i padëshiruar’ u kthye në kryefjalë. Lloci u refuzua nga Vllaznia e Kukësi dhe në debutimin e tij me Teutën godet traversën me prekjen e parë, shënon 2 gola për 3 minuta dhe i jep 1 pikë nga ‘hiçi’ durrsakëve që nga momenti në moment prisnin të pësonin golin e rradhës.

William CORDEIRO (Laçi) – ‘Problematiku’ i ndeshjes për lojtarët e kuq. Nga minuta e parë deri te e fundit braziliani ishte lojtari më i vështirë për t’u markuar. Laçi e nisi keq ndeshjen, por jo Cordeiro i cili prej minutave të para u duk që kishte hyrë me një tjetër ritëm përballë ish-skuadrës së tij. Driblon, kroson, pason, tentoi disa herë golin, por u ndal nga portieri Qirko. Paraqitje solide e tij.

Ronald SOBOWALE (Laçi) – Po rigjen formën e tij dhe po tregohet protagonist për Laçin. Sulmuesi afrikan shënoi golin e barazimit të përkohshëm ndaj Partizanit. Lëvizje prej bomberi, mbron mirë topin me trup, i krijon hapsirë vetes me forcë dhe godet duke dërguar topin në fundin e rrjetës.

Trajneri: Mirel JOSA (Laçi) – Shkolla e vjetër me shkollën e re, kështu ishte përballja Mirel Josa – Orges Shehi në ‘Arenën e Demave’. Eksperienca e teknikut tiranas fiton edhe një herë tjetër. Orges Shehi është padyshim trajneri i momentit, por në përballjet e tij me Josën ka ende shumë punë për të bërë pasi rekordin e ka negativ. Josa arriti të lexojë si një libër të hapur lojën e Partizanit.

Në pjesën e parë e priti në gjysmë fushën e tij, ndërsa në të dytën shfrytëzoi lodhjen fizike dhe psikologjike duke inkuadruar Ledjo Tresën që vulosi përmbysjen e çmendur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat