Egnatia do të presë Erzenin

Futboll

Egnatia do të presë Erzenin

Më: 28 janar 2024 Në ora: 12:49
Edlir Tetova

Egnatia do të presë Erzenin në “Egnatia Arena” për të bërë ditën e nesërme mes tyre llogaritë e javës së 21-të të Superiores.

Një duel që do të startojë në orën 13:30 dhe që është shumë i rëndësishëm për të dyja skuadrat për të arritur te objektivat e tyre.

Në konferencën për shtyp Edlir Tetova ka analizuar këtë duel, ndërsa ka zbuluar edhe gjendjen e lojtarëve të tij.

Ndër të tjera ka theksuar se në këto ditë të fundit të merkatos nuk pret të ketë ndryshime, teksa është i kënaqur me lojtarët që ka në dispozicion.

“Luajmë nesër ndaj Erzenit, ekip që me afrimet e janarit ka ndryshuar dhe është forcuar më shumë. Aq më tepër që 6 lojtarë që tashmë luajnë për Erzenin kanë qenë pjesë e Egnatias. Kjo ndeshje ka marrë të gjithë fokusin dhe vlerësimin maksimal tonin.

Klasifikimi ju jep presion apo ju motivon? Asnjëra nga të dyja. Ne kemi synimet tona pavarësisht pozicionit. Në gjithmonë kërkojmë të përmirësojmë gabimet ndeshje pas ndeshje se vetëm kështu mund të rritemi si ekip.

Kalimi i Mëllugjës te Erzeni? Nuk do të jetë vetëm Mëllugja, por aty janë edhe 5 lojtarë të tjerë që kanë luajtur me Egnatian dhe kjo do të bëjë që skuadra të jetë më e fokusuar nesër.

Merkato? Ka edhe pak ditë për t’u mbullur merkato, por unë jam i kënaqur me grupin e lojtarëve që kam. Tani duhet vetëm të fokusohemi te ndeshjet dhe të arrijmë të bëjmë mirë, me lojtarët që po ambientohen shpejt me grupin.

Përballja e rivalëve Vllaznia – Partizani? Patjetër që do e shikoj, por fokusi ynë mbetet Erzeni”, a përfunduar timonieri i rrogozhinasve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat