Dani Alves del në gjyq

Futboll

Dani Alves del në gjyq

Më: 6 shkurt 2024 Në ora: 13:01
Dani Alves në gjyq

12 vite burg janë ato të kërkuara nga prokuroria private, 9 vite parashikohen nga prokuroria publike.

Pikërisht me këtë “shpatë Damokleu” të varur mes kokës dhe qafës, Dani Alves u përball ditën e parë të gjyqit, në të cilin akuzohet për përdhunimin e dyshuar të një vajze 23-vjeçare, që ndodhi natën midis 30 dhe 31 dhjetor 2022 në klubin e natës “Sutton” të Barcelonës.

Pasi kreu një vit paraburgim, futbollisti brazilian doli në gjykatë i veshur me xhinse, këmishë dhe këpucë të bardha, dukshëm i dobësuar dhe me flokët e prerë shumë shkurt.

Përballë gjyqtarëve, avokati i tij kërkoi anulimin e procedimit dhe lirimin e menjëhershëm të lojtarit.

Arsyeja? Gjykimi për klientin e tij tashmë diktohet nga rrjedhjet e vazhdueshme të informacionit në media, shumë prej të cilave të pavërteta, si rezultat i të cilave prezumimi i pafajësisë është cenuar dhe komprometuar, duke pasur parasysh vëmendjen dhe presionin mediatik që ka pësuar deri tani.

“Viktima” e dyshuar nuk ka qenë fizikisht e pranishme në gjykatë, por është dëgjuar për më shumë se një orë me dyer të mbyllura. Për arsye privatësie dhe sigurie, deklaratat e saj janë regjistruar me zë dhe imazh të deformuar. E reja konfirmoi versionin e ngjarjes të dhënë atë mbrëmje dhe më pas ia përsëriti hetuesve.

Ishte një dëshmi shumë e dhimbshme nga pikëpamja emocionale. Në një moment, gjatë marrjes në pyetje, ajo pati një moment dobësie dhe qau, duke sqaruar se në fillim kishte menduar që të mos prezantohej apo ta raportonte ngjarjen tek autoritetet, sepse kishte frikë se askush nuk do ta besonte.

Në seancën para Gjykatës së Lartë ka pasur edhe dëshmitarë të tjerë, duke filluar nga shoqja e denoncueses, që ishte me të në klubin katalanas. “Ai kishte një qëndrim maniaku”, – ishte shprehja shumë e fortë e përdorur për të përshkruar sjelljen e Dani Alves. Më pas foli për rrëfimin që i kishte bërë “viktima” e dyshuar, e cila u shfaq shumë e tronditur:

“I thashë se duhej ta denonconte. Ajo nuk donte ta bënte, sepse ishte e bindur se do të thoshin se po e bënte vetëm për para (vajza ka refuzuar gjithmonë çdo formë kompensimi që i është ofruar). Ishte shumë e vështirë për ne ta bindnim të denonconte, në atë gjendje shoku. Ajo nuk donte të fliste për këtë as me nënën e saj”.

Akuza është për marrëdhënie seksuale pa konsensus, që dyshohet se është konsumuar brenda një banjo klubi nate. Një aferë e cila sipas deponimeve do të kishte shkaktuar shqetësime të forta psikologjike te vajza 23-vjeçare.

“Ajo është shumë keq, ka rënë në peshë, është në ankth.

Më përpara kishte një rreth miqsh, ndërsa tani nuk i beson askujt. Kudo që shkojmë mendon se do ta shikojnë”, – tregon kushëriri, që e shoqëronte natën e makthit me Dani Alves.

Mbrojtja e futbollistit brazilian, e udhëhequr nga avokatja Inés Guardiola, u përpoq të zbërthejë, pjesë-pjesë, ato deponime, duke u fokusuar në pjesët e diskutueshme të rrëfimit, që binin ndesh me “gjendjen e terrorit” të përshkruar nga ankuesja dhe miqtë e saj. Avokatja pyeti nëse ka pasur ndonjëherë ndonjë flirt mes klientit të saj dhe vajzës 23-vjeçare, nëse ishte e vërtetë që kishin kërcyer bashkë dhe shkëmbyer ndonjë puthje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat