Pochettino: Ky është futbolli

Futboll

Pochettino: Ky është futbolli

Më: 7 shkurt 2024 Në ora: 10:58
Maurizio Pochettino

Janë një ndër skuadrat, që kanë derdhur më shumë para, në farksionet e fundit të tregut të transferimeve, mirëpo sërish nuk po ia arrijnë t’ia dalin në fushën e blertë, teksa në 2 sfidat e fundit janë “shpërfytyruar” fillimisht, nga “Të Kuqtë” e Liverpool, me rezultatin e thellë, 4 me 1 e më pas nga “Ujqërit” e Wolves, po me rezultat të thellë, 4 me 2.

Bëhet fjalë për “Blutë” e Chelsea, të cilët pas disa sezonesh pozitive ku arritën madje të fitonin edhe trofeun e UEFA Champions League, në vitin 2021, tashmë po kalojnë ndoshta momentin e tyre më “të errët” në histori, mirëpo tekniku, Maurizio Pochettino duket optimist dhe nga konferenca për shtyp, në kuadër të sfidës së FA Cup, ndaj Aston Villa i ka kërkuar tifozëve durim e mbështetje.

“Ndonjëherë mund të bëjmë gabime.

Ky është futbolli. Këto gjëra ndodhin, ne duhet të vazhdojmë të ecim përpara dhe të jemi të fortë. Kemi një skuadër shumë të mirë, por për arsye të ndryshme nuk i përmbushim pritshmëritë. Kur pritjet ndryshojnë nga realiteti, është e vështirë të marrësh atë që meriton. Kjo është arsyeja pse njerëzve u mungon durimi.

Kur humbëm nga Liverpool, të gjithë thoshin se ishte një dështim i madh, se gjithçka ishte e keqe për Chelsea-n. Kur Liverpool humbi ndaj Arsenal , nuk dëgjova asgjë të tillë, por situata ishte pikërisht e njëjta.

Kjo ndikon te lojtarët sepse skuadra ka nevojë për besim. Ne kemi nevojë për mbështetje dhe tifozët tanë duhet të na mbështesin. Njerëzit duhet ta kuptojnë këtë.

Ne kërkojmë mbështetje. Ne kemi grumbulluar lojtarë cilësorë. Problemi i vetëm është se duhet kohë për të ndërtuar një ekip. Ky është realiteti, tifozët duhet të jenë të durueshëm.

Ne po përpiqemi të rregullojmë gjithçka. Shpresojmë që sa më shpejt të arrijmë pozicionin që klubi e meriton”,- u shpreh tekniku argjentinas.

Ndërkaq, kujtojmë se deri më tani, “Blutë” kanë arritur të grumbullojnë vetëm 31 pikë, duke u pozicionuar në vendin e 11-të të tabelës, mirëpo janë ende në garë për të fituar trofe, teksa janë në finalen e EFL Cup, si dhe do të përballen mbrëmjen e kësaj të mërkure, me skuadrën e Aston Villa ku do të kërkojnë kalimin në raundin e radhës, të FA Cup.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat