Gjimshiti, gati të rrumbullakosë 200 ndeshje në Serie A

Futboll

Gjimshiti, gati të rrumbullakosë 200 ndeshje në Serie A

Më: 7 shkurt 2024 Në ora: 11:18
Berat Gjimshiti në veprim

Periudha e shkëlqyer e formës sportive për Atalantën, e freskët nga gjashtë rezultate të dobishme radhazi mes kampionatit dhe Kupës së Italisë, evidenton edhe “postbllokun” shqiptar të prapavijës, Berat Gjimshiti.

Të dielën, lojtarët e Bergamos presin Lazion për ta vazhduar këtë seri positive dhe shpresuar te kualifikimi në Champions League.

Gjimshiti, lideri mbrojtës i skuadrës së Gasperinit, ka folur për momentin e zikaltërve në një intervistë për “L’Eco di Bergamo”. Në të, ai ka cekur edhe statusin e kapitenit të Shqipërisë dhe çfarë përgjegjësie e madhe përbën kjo për të, para një kombi të tërë.

Ndaj Lazios, mbrojtësi shqiptar do të rumbullakosë 200 ndeshje në Serie A, një moment krenarie dhe frymëzimi për të arritur më shumë. “Të ndihesh rehat në rolin që luan është thelbësore, – thotë Gjimshiti. – Të qenit në qendër të mbrojtjes së Atalantës është një përgjegjësi, që më ka lejuar të piqem si lojtar dhe si person”.

Skuadra e Gasperinit po përjeton një moment forme pozitive, duke konsoliduar procesin e rritjes që shkon përtej performancës së pastër sportive. “Fitorja nuk është thjesht një rezultat, por katalizator për rritjen e besimit”, – potencon Gjimshiti, duke shprehur dëshirën për të ngritur një trofe me fanellën zikaltër.

Mbrojtësin shqiptar e ka shoqëruar stabiliteti dhe lidershipi në skuadrën bergamaske: “Historia ime tek Atalanta ka qenë një rrugëtim i rritjes së vazhdueshme.

Të ndjehesh pjesë përbërëse e projektit zikaltër është një nder, që më shtyn të jap gjithmonë më të mirën time”.

Kur vjen puna tek e ardhmja, Gjimshiti nuk i fsheh aspiratat e tij: “Ëndrra e çdo futbollisti është të fitojë trofe, edhe unë kam ambicie ta realizoj këtë ëndërr si në nivel klubesh, ashtu edhe me kombëtaren time”.

Synimi madhor është kualifikimi në Champions League për sezonin e ardhshëm: “Po kalojmë një moment të mirë dhe do të japim gjithçka që të arrijmë sa më lart. Për ta bërë këtë duhet të mposhtim skuadra si Lazio, megjithatë nuk mendojmë për renditjen finale. Gjithmonë kemi menduar për ndeshjen e radhës”. I mungojnë golat me kokë, në kampionat: “Është mirë për mua të mos shënoj në Serie A. Vazhdoj të shënoj në Evropë, ua lë të tjerëve golat në kampionat”.

Në fund të intervistës nuk mund të mungonte pyetja për kombëtaren, teksa Shqipëria do të luajë në një grup me Italinë në finalet e “Euro 2024”: “Ndjej përgjegjësi ndaj shokëve të mi dhe të gjithë kombit, që na ndjek me ngrohtësi. Të jesh kapiten i një kombëtareje nuk është e lehtë, kjo më ka dhënë besim edhe nga perspektiva e Atalantës”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat