Italia vuan mungesën e një golashënuesi

Futboll

Italia vuan mungesën e një golashënuesi

Më: 7 shkurt 2024 Në ora: 14:39
Immobile

Viti i ri, problem i vjetër.

Flasim për kombëtaren italiane dhe për mungesën e një bomberi që shqetëson  edhe Luciano Spallettin.

Kur jemi vetëm pak muaj larg fillimit të Euro 2024, Italia ende nuk ka një pikë referimi në sulm.

Dhe nëse shikojmë shifrat, përfshirë edhe ato të anësorëve aq të dashur për skemën 4-3-3, numrat janë shqetësuesë. Tetë gola për Immobile (në të gjitha kompeticionet), shtatë për Scamaccan, pesë për Reteguin dhe katër për Raspadorin.

Ajo që tremb më shumë, përveç paraqitjes së dobët para portës, është edhe aktivizimi në fushë: muajt e fundit, mes dëmtimeve dhe peripecive të ndryshme, ka qenë vetëm Retegui që ka pasur një farë vazhdimësie në minutazhin e aktivizimit: një detaj që nuk është i parëndësishëm.

Në fund të llogarive, sulmuesit italianë luajnë pak dhe për pasojë shënojnë pak.

Nëse shikojmë renditjen e golashënuesve, i pari nga italianët është Berardi me 9 gola, por anësori aktualisht është i dëmtuar. Chiesa, është ndalur në gjashtë gola, gjithashtu nuk po shkon shumë mirë në nivel fizik.

Nga ana tjetër, Zaniolo, që po luan tek Aston Villa, ka grumbulluar 25 paraqitje në total mes Premier Ligës dhe Evropës, por ka shënuar vetëm 2 gola.

Në përgjithësi, tabloja është shqetësuese: Kampionati Evropian fillon në qershor dhe ka kaq shumë të panjohura për Luciano Spallettin në repartin e avancuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat