“Projekti e kontrata e kaluar janë projektuar tabullarasa”, Çeku flet për stadiumin në Gjilan dhe zbulon datën e përfundimit

Futboll

“Projekti e kontrata e kaluar janë projektuar tabullarasa”, Çeku flet për stadiumin në Gjilan dhe zbulon datën e përfundimit

Më: 8 shkurt 2024 Në ora: 13:44
Ministri i Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit (MKRS), Hajrulla Çeku

Ministri i Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit (MKRS), Hajrulla Çeku në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës ka shpjeguar rrjedhën e situatës së ndërtimit të stadiumeve ndihmëse në Gjilan, Raushiq, Studençan dhe Komoran, si dhe datën përfundimtare të cilën ia ka dhënë operatori ekonomik për përfundimin e këtyre katër projekteve.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Luan Aliu kërkoi nga ministri Çeku një përgjigje se kur mund të fillojnë këto projekte, dhe i pari i MKRS i la fajin projektimit të gabuar dhe kontratës së kaluar, për të cilën tha se “është projektuar në zyre dhe tabullarasa”.

Çeku: Projekti e kontrata janë projektuar në zyre dhe tabullarasa, pasojat gati gjysmë milioni euro

“Së pari si kontratë e lidhur në vitin 2020 siç e thatë edhe ju, me 36 muaj kohë për zbatim për katër fusha, Gjilani, Studençani, Komorani dhe Raushiqi dhe me vlerë afër dy milionë euro, me fillim të punimeve është kërkuar një kontratë krejt e re për punime që nuk janë parashikuar me kohë që kanë të bëjnë me mbushje të dheut dhe që nuk mbuloheshin me kushte të asaj kontrate të vitit 2020. Kjo ka ndodhur si rezultat i projektimit të gabuar që nuk i ka marrë parasysh karakteristikat e terrenit ku do të zbatohej projekti. Projekti është punuar për terren të rrafshët pa marrë parasysh terrenet e ndryshme dhe infrastrukturën nëntokësore e kontrata nuk i ka përmbushur kushtet për punën në këto terrene, që do të thotë se është projektuar në zyre dhe tabullarasa ndërsa ndërtimi është dashur të zbatohet në terren të pjerrtë me nevoja për përpunim e me terren me infrastrukturë nëntokësore që ka kërkuar devijim. Të gjitha këto pozicione të papërfshira në kontratën bazë e që nuk kanë krijuar kushte as për fillimin e zbatimit të këtyre projekteve kanë pasur pasojë prej gati gjysmë milioni euro", tha Çeku.

Ndërkaq, Çeku tha se MKRS është angazhuar për evitimin e problemeve në Gjilan, Studençan, Raushiq dhe Komoran, dhe se ka marrë përgjigje nga operatori ekonomik se qershori i këtij viti është datë përfundimtare e të gjitha këtyre fushave ndihmëse.

Çeku: Operatori ekonomik ka thënë se qershori 2024 është datë përfundimtare për përfundimin e stadiumeve

"Gjilani me shtyllën e tensionit të lartë, Raushiqi e Studençani me probleme pronësore, Komorani pa leje për ndërtim. Në Gjilan jemi kujdesur menjëherë për dislokimin e shtyllës së rrymës bashkë me komunën, proces i përfunduar në tërësi në maj 2022. Në Drenas është marrë leja, në Raushiq e Studençan pas takimeve me komunën janë zgjidhur çështjet me banorët. Pavarësisht zgjidhjeve gatishmërisë së vazhdueshme nga ana jonë, operatori ekonomik ka vazhduar me joseriozitet në punë dhe mosdalje në vendpunishte. Kohë pas kohe pas vërejtjeve të Ministrisë së Kulturës, operatori ka njoftuar për dalje në terren në ndonjë nga këto fusha, dhe jo në të gjitha sipas kontratës, dhe punë ka pas jashtëzakonisht pak. Vazhdimisht kemi dërguar vërejtje dhe rekomandime për shkëputje të kësaj kontrate, operatori ekonomik vazhdimisht ka njoftuar se do t'i fillojë punimet, e në fund të vitit të kaluar ka thënë se qershori 2024 është datë përfundimtare për përfundimin e të gjitha këtyre fushave ndihmëse”, tha Çeku.

Në vitin 2020 ishte vendosur gurthemeli i punimeve për projektin e ndërtimit të stadiumit ndihmës në Gjilan, projekt ky që ende nuk ka përfunduar. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat