​“Duhet të na kenë frikën të gjithë”, Prishtina paralajmëron rivalët në stinorin pranveror

Futboll

​“Duhet të na kenë frikën të gjithë”, Prishtina paralajmëron rivalët në stinorin pranveror

Më: 10 shkurt 2024 Në ora: 10:07
Foto ilustrim

Fitimi i Superkupës dhe kalimi në fazën tjetër të Kupës së Kosovës e kanë motivuar skuadrën e Prishtinës për të rritur synimet e saj edhe në stinorin pranveror të Superligës së Kosovës në futboll.

Prurjet e reja dhe rikthimi i disa lojtarëve nga lëndimet kanë bërë që forca e këtij grupi të rritet, gjë të cilën e thekson edhe ndihmës trajneri Eldiano Topi. Ai thotë se Prishtina ka ambicie të mëdha në këtë edicion edhe pse rivaliteti është mjaft i madh.

Topi: Kampionati shumë i vështirë, por ne jemi Prishtina

“Prishtina gjithmonë mbetet Prishtinë me ambicie të mëdha, me kërkesa të larta, por ne themi gjitha bashkë jemi munduar që të realizojmë atë kërkesa që ka klubi me këta djem që mundohen çdo ditë të japin maksimumin e tyre për të arritur ta shikojmë Prishtinën sa më lartë...Ne e dimë që kampionati në Kosovë është shumë i vështirë, ka një rivalitet është një lojë e futbollit të drejtë mund të themi, sidomos nëpër vendet tjera që kemi parë. Ne do të mundohemi gjithmonë që ta arrijmë objektivin që ka vënë klubi”, ka thënë Topi.

Topi thekson më tutje se drejtuesit e klubit ishin mjaftë aktiv në merkato duke ofruar lojtarë cilësor dhe kjo ka rritur motivin te lojtarët të cilët tutje çdo ndeshje do ta luajnë si një finale.

Topi: Ekipet e Superligës ndaj Prishtinës japin më të mirën

“Pjesën më të madhe themi që e kanë plotësuar por ne trajnerët gjithmonë nuk kënaqemi me lojtarë, duam gjithmonë të kemi sa më shumë lojtarë dhe lojtarë cilësorë...Synimet ne e dimë se si i ka Prishtina, por ndeshjet gjithmonë këtu janë si finale. Nëse ne nuk futemi duke llogaritur që çdo ndeshje ne kemi finale nuk mund ta marrësh lehtë tre pikëshin në kampionatin e Kosovës sepse ne e dimë që kundërshtarët të gjithë janë të fortë dhe mundohen sidomos përball Prishtinës të japin maksimumin e vet”, ka thënë Topi.

Për futbollistin Kreshnik Uka, triumfi ndaj Ballkani ishte një sukses i madh që ka rritur motivin e lojtarëve, andaj grupi është tejet i gatshëm për ta nisur edicionin pranveror me fitore ndaj Feronikelit.

Uka: Me prurjet e reja, presim rezultate pozitive në stinorin pranveror

“Pikë së pari Superkupa që e fituam kundër Ballkani na ka dhënë motiv shtesë, pastaj kaluam raundin me Gjilanin në kupë edhe besoj që na jep motiv shtesë për fillimin e kampionatit që e kemi kundër Feronikelit të dielën. Jemi përgatitur maksimalisht edhe gjatë kësaj jave duke u përgatitur shumë mirë për ndeshjen ndaj Feronikelit dhe presim rezultate pozitive në vazhdim...Është përforcuar shumë mirë, ardhja e Limanit e ka përforcuar mbrojtjen shumë mirë dhe disa lojtarë të tjerë, por më së shumti me lëndimet që i kemi pasur, janë kthyer shumë lojtarë, besoj që kjo ka qenë merkato e Prishtinës shumë e fortë”, tha Uka.

Ndërsa i sapo kthyeri nga lëndimi, Albin Krasniqi, ka paralajmëruar rivalët duke thënë se secila skuadër duhet t’i frikësohet Prishtinës.

Krasniqi: Klubet duhet t’i frikësohen Prishtinës

“Po është e vërtetë është mbushur skuadra pasi kemi pasur disa lëndime, besoj që tani jemi komplet grupi dhe besoj që ky grup do të jap shumë në këtë stinor...E keni parë luftën që është bërë me një lojtar më pak, besoj që çdo ekip do ta kishte shumë të vështirë, por për ne ishte e madhe ai kalim tutje dhe na jep motiv shumë të madh në ndeshjet në vazhdim...Është e vështirë, por ne jemi Prishtina, nuk i frikësohemi askujt dhe mendoj se klubet tjera do të na frikësohen neve”, theksoi Krasniqi.

Prishtina ka 26 pikë në vendin e pestë dhe edicionin pranveror e nis me ballafaqimin kundër Feronikelit të dielën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat