Dushku i kënaqur me ecurinë sezonale

Futboll

Dushku i kënaqur me ecurinë sezonale

Më: 10 shkurt 2024 Në ora: 12:25
Elbasani

Elbasani luan sot në Berat përballë Tomorit, ku në fazën e parë verdheblutë fituan në shifrat 4-0. Një duel mes skajeve, elbasanasit synojnë elitën dhe beratasit janë në “ethet” e mbijetesës, ndaj pritet një ndeshje e luftuar.

Për të besuarit e Nevil Dedes bën punë vetëm fitorja, për të mos vënë në rrezik vendin e dytë dhe që të mbajnë gjallë shpresat për t’u shpallur kampionë. Barazimi në ndeshjen e fundit me Flamurtarin në shtëpi i vë elbasanasit nën presion për të tentuar maksimumin në Berat.

DUSHKU – Për ish-futbollistin dhe trajnerin e skuadrës së Elbasanit, Marsid Dushku, skuadra ka treguar këtë sezon atë që e karakterizon. “Objektivi i Elbasanit është ngjitja në Superiore dhe është 7 pikë larg rivalit më të afërt. Është një distancë sigurie, e cila nuk ka ardhur rastësisht dhe nëse do të flisnim në fillim të sezonit, besoj se të gjithë do ishin dakord.

Ekipi tregon cinizmin kur duhet, merr pikët me skuadrat që nuk duhet të gabojë, më saktë, me ato që kanë synime të mbijetojnë dhe të jenë në mesin e tabelës.

Këto pikë të japin në fund kampionatin dhe Superioren. Për këtë arsye, besoj se edhe me Tomorin nuk do të gabojnë, edhe pse nuk do të jete e lehtë”, u shpreh fillimisht Dushku për “Panorama Sport”.

Në lidhje me ndalesat që ka me rivalët, ai e sheh si normale në një sezon.

“Përgjithësisht, Elbasani ka ndarë pikët me rivalët dhe zakonisht kështu ndodh në një garë të fortë. Unë e kuptoj që në Elbasan ka pritshmëri të mëdha, prandaj edhe një barazim apo lojë jo e mirë përjetohet keq, siç ishte rasti i fundit me Flamurtarin. Në futboll pranohen të gjitha, mjafton që skuadra të bëjë reagimin, atëherë kur duhet dhe kjo skuadër e ka bërë këtë sezon”, vijoi më tej Dushku.

Në lidhje me javët e mbetura në kampionat, ai është i bindur se Elbasani nuk gabon më dhe si synim duhet të ketë daljen kampion.

“Skuadra duhet të tentojë titullin kampion, sepse janë të gjitha mundësitë. Edhe Bylisi mund të bëjë gabimet e veta dhe Elbasani duhet të jetë aty për të përfituar. Unë kam besim se ekipi do t’ia dalë”, mbylli prononcimin e tij ishlojtari dhe trajneri Elbasanit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat