Juventusi, Milani dhe Interi kërkojnë reduktimin e skuadrave në Serie A

Futboll

Juventusi, Milani dhe Interi kërkojnë reduktimin e skuadrave në Serie A

Më: 10 shkurt 2024 Në ora: 13:04
Foto ilustrim

Juventusi, Milani dhe Interi kërkojnë reduktimin e skuadrave në Serie A.

Duke kaluar nga 20 në 18 ekipe pjesëmarrëse. Propozim që përfaqësuesit e klubeve e kanë shpalosur në një takim me Gabriele Gravinën, presidentin e FIGC.

Një gjë e tillë bëhet për të reduktuar numrin e ndeshjeve në një kalendar që nga sezoni i ardhshëm do të jetë edhe më i ngjeshur falë kompeticioneve të modifikuara të UEFA-s dhe FIFA-s.

Champions League do të ketë një format të ri, me dy ndeshje më tepër se zakonisht. Gjithashtu Botërori për Klube, me 32 skuadra. Interi ka siguruar pjesëmarrjen, ndërkohë që Juventusi është në avantazh ndaj Napolit për biletën tjetër.

Lëvizja e tri klubeve historikisht më të fuqishme dhe më të suksesshme të futbollit italian, vjen 48 orë përpara Asamblesë së Ligës së Serie A. E programuar për ditën e hënë.

Që në agjendën e saj do të ketë temë dite reformimin e futbollit italian dhe çështjet federale, pas kërkesës së klubeve për më shumë autonomi në vendimmarrje si në rastin e Premier League.

Sigurisht që shumica e klubeve të Serie A, sidomos klubet e vogla dhe mesatare, janë kundër kampionatit me 18 skuadra, nga 20 që është aktualisht.

Kundër idesë së Juventusit, Milanit dhe Interit u shfaq presidenti i Napolit, Aurelio De Laurentiis, i cili theksoi se problemet nuk zgjidhen në këtë mënyrë.

“Nuk zgjidhen problemet e Serie A me reduktimin në 18 skuadra. Ka një kampionat në anën e majtë të tabelës dhe një tjetër në krahun e djathtë.

Skuadrat që përfaqësojnë qytete me nga 20 mijë banorë, janë ata që deformojnë kampionatin dhe garën“.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat