Josa: Çdo trajner mundohet në minutat e fundit të kapë çfarë të kapë

Futboll

Josa: Çdo trajner mundohet në minutat e fundit të kapë çfarë të kapë

Më: 10 shkurt 2024 Në ora: 16:18
Mirel Josa

Trajneri i Laçit, Mirel Josa, ka theksuar se skuadra e tij duhej të ishte e kënaqur me barazimin 1-1 ndaj Egnatias, skuadrës që kryeson renditjen e Superiores.

“Ndeshja mund të kishte marrë rrjedhë tjetër, ishte rasti i penalltisë që mund të shënonte Egnatia.

Në përgjithësi jam i kënaqur me mënyrën se si lojtarët u vendosën në fushë, se si luftuan për të mbyllur hapësirat, kur Egnatia kishte organizimin e lojës sidomos me dy qendërmbrojtësit.

Por nga ana ime nuk jam i kënaqur se nëse ne ishim 3-4 herë te porta e kishim raste për të shënuar, duhej të kishim përpjekje shumë më të mëdha për të qetësuar topin në mesfushë e për të dalë më pastër në zonën kundërshtare.

Nuk ishim futur për barazimin, por kur e merr me skuadrën që kryeson, lojtarëve nuk mund t’u thuash asgjë, u thashë vetëm të qetësohemi dhe të bëjmë më mirë kur kemi topin në zotërim.

Nuk është problemi se nxitohen lojtarët në zonë, nuk është e thënë që çdo fazë të përfundojë me gjuajtje në kuadrat. Problemi është si duhet të shkojmë aty, kishte raste që bënim përpjekje për organizimin e mbrojtjes tonë me skuadrën pas topit. Por kemi pasur raste në pjesën e parë, kemi humbur topin shumë shpejt, i kemi dhënë të drejtë Egnatias që të na vërë në presion.

Unë personalisht nuk futem për 1 pikë. Problemi është ne insistuam qoftë me gabimet e kundërshtarit që bëri në pjesën e parë, qoftë me aftësitë tona dolëm para. Duhet të kemi parasysh që në pjesën e parë humbnim topin menjëherë.

Nuk është se futëm lojtarë krahu, u kushtëzuam nga dalja e Prodanit. Futëm lojtarë krahu duke pasur parasysh kartonin e verdhë që mori ai. Futem Tresën, ai është rigoroz qoftë në fazën sulmuese, edhe në atë mbrojtëse. Unë i kam folur lojtarëve para ndeshjes që lojtari që futet mund të luajë edhe 45 minuta apo 20, duhet të futet me oreksin e duhur për të plotësuar detyrat. Ne u munduam, dolëm në pjesën e dytë, por në 20 metrat e fundit, zgjidhjet që ne bëmë nuk ishin të drejta e nuk më pëlqyen. Nuk mund të kap individë të veçantë, me ta do flas nesër se sot është shumë shpejt.

Nuk është problemi ku duhet të kapim në “Final Four”. Laçi duhet të sigurojë tre pikët, në ndeshjen e ardhshme duhet të sigurojmë tre pikët që të jemi në rrugë të drejtë për t’i shkuar deri në fund objektivit që kemi. Në 10 minutat e fundit të themi të drejtën, kur vjen deri aty, çdo trajner edhe mundohet që fundja e fundit, të kapi çfarë të kapi.

Me Vllazninë edhe mund të kishim pasur rezultat më të keq për ne, duke pasur parasysh si u zhvillua loja e si luajti Vllaznia. Por unë jam nga ato tipa që kur vjen puna, nuk hidhem shumë në aventurë. Kështu që mos u trembni se do të hidhem ne aventurë. Ne duhet të kemi zgjidhje dhe t’i japim zgjidhje vetes tonë shumë shpejt që të jemi më të lirshëm”, tha Josa për “MCN” pas sfidës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat