Kosova dhe Shqipëria pësojnë rënie në renditjen e re të FIFA-s

Futboll

Kosova dhe Shqipëria pësojnë rënie në renditjen e re të FIFA-s

Më: 15 shkurt 2024 Në ora: 12:06
Pamje nga një ndeshje

Kombëtarja e Kosovës ka pësuar rënie për një pozitë në renditjen më të re të FIFA-s.

Kjo e fundit e zbuloi sot ranglistën e muajit shkurt-mars, ndërsa “Dardanët” tash gjenden në vendin e 102-të, në krahasim me atë të 101-të të herës së kaluar.

Sa u përket pikëve, Verdhekaltrit kanë pikë të njëjta, 1202.77.

Por, mbi Kosovën tash është Tajlanda, e cila bëri përparim prej plot 12 pozitash duke e zënë vendin e 101.

Rënie pati edhe Kombëtarja shqiptare, e cila tash e sheh veten në vendin e 64-t, ndërsa në renditjen paraprake ishte në atë të 62-të.

Kuqezinjtë i kanë 1382,69 pikë duke përfunduar prapa Republikës Demokratike të Kongos, e cila përparoi për katër pozita dhe përpara Kepit të Gjelbër.

Ndryshimet në renditjen e FIFA-s u bënë mbi të gjitha për Kombëtaret e kontinenteve të tjera pasi në Evropë sivjet nuk ka pasur ende aktivitete të ekipeve kombëtare.

Në Top 10 nuk pati ndryshime në renditje, me kampionen e botës, Argjentina, që vazhdon të prijë, e ndjekur nga nënkampionia botërore Franca.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat