Skënderbeu me katër mungesa

Futboll

Skënderbeu me katër mungesa

Më: 17 shkurt 2024 Në ora: 11:13
Gvozdenoviç

Skënderbeu mbyll nga Durrësi përgatitjet për ndeshjen kundër Erzenit, që do ta luajë sot në Rrogozhinë. Në transfertën me shijakasit, korçarët janë të përqëndruar maksimalisht tek fitorja, si i vetmi rezultat që u bën punë në një ndeshje të tillë.

Trajneri Ivan Gvozdenoviç, në prononcimin për “Panorama Sport”, nuk ka dashur të kërkoj alibinë e mungesave, por ka shprehur besimin se ekipi mund t’ia dalë edhe këtë moment delikat.

“Vijmë nga një fitore me Kukësin dhe normalisht që morali i ekipit është i lartë, por mbartim nga kjo ndeshje edhe katër mungesa që na prishin disi planet. Do të duhet të luajmë pa Liçon, Shaqen, Randin dhe Pecanin, që janë lojtarë shumë të rëndësishëm për manovrat tona. Megjithatë, kemi punuar gjatë gjithë javës dhe jemi munduar që të gjejmë zgjidhjen e duhur për këtë takim. Unë e kam thënë shpesh, që kemi 25 lojtarë dhe të gjithë janë gati për të luajtur nga minuta e parë. Kam parë një ekip të motivuar gjatë këtyre ditëve dhe me dëshirën për të bërë mirë”, ka thënë trajneri.

ERZENI – I ndalur më pas tek kundërshtari dhe vështirësia e kësaj sfide, Gvozdenoviç vlerësoi shijakasit duke kërkuar nga ekipi i tij kujdes të veçantë për këtë kundërshtar. Sipas tij, Erzeni ka cilësi dhe këtë e tregoi edhe kundër Tiranës.

“Ne kemi shumë respekt për kundërshtarin, sepse ka një ekip me cilësi. Nuk e di pas lëvizjeve në merkato se si ka ndryshuar loja e tyre, por ne do të mundohemi që të jemi të përqendruar dhe të kujdesshëm.

Ekipi është gati dhe do të mundohemi të marrim më të mirën në këtë ndeshje.

Sigurisht që objektivi është fitorja, por fusha do të tregojë se çfarë jemi në gjendje të bëjmë. Respektojmë kundërshtarin dhe kërkojmë të kemi balancë në të dyja fazat e lojës. Kam besim se ekipi do të dijë të menaxhojë mirë këtë takim”, përfundoi Gvozdenoviç.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat