Memushaj e Çela: Kurs shumë i rëndësishëm për të ardhmen

Futboll

Memushaj e Çela: Kurs shumë i rëndësishëm për të ardhmen

Më: 24 shkurt 2024 Në ora: 12:43
Memushaj

Kursi për licencën e trajnerit UEFA PRO që është niveli më i lartë për një trajner futbolli ka nisur prej disa muajsh dhe në të marrin pjesë edhe emra të njohur të botës së futbollit. I gjithë kursi zhvillohet në “Shtëpinë e Futbollit” dhe udhëhiqet nga specialistët e Sektorit të Edukimit në FSHF.

Pjesëmarrës në këtë edicion të kursit janë edhe ish-futbollistë që kanë dhënë kontributin e tyre me Kombëtaren kuqezi si Ledian Memushaj, apo ish-lojtarë që kanë luajtur në kampionatin shqiptar si Emiliano Çela.

Pas vari këpucët në gozhdë, duke e mbyllur me kontributin e dhënë në fushën e blertë, tani Memushaj është bërë pjesë e botës së trajningut ku ka pasur edhe dy eksperienca, te Pescara U-19 dhe si zëvendës-trajneri te Dinamo City.

Në një prononcim për fshf.org Memushaj tregon rëndësinë e kursit UEFA PRO, teksa shton se në të ardhmen synon të arrijë sa më lartë.

“Kursi është shumë interesant dhe shumë i rëndësishëm për ne. Është kënaqësi të jem me këtë grup e këta persona dhe shpresoj që të ecim sa më mirë. Për çdo trajner, ky kurs është shumë i rëndësishëm. Edhe për të ardhmen tonë. Kam qenë vjet me shpresat e Pescarës, por edhe si zëvendës-trajner i Dinamos me Luigi di Biagio. Secili prej nesh që punon si trajner, kërkon të ecë sa më lart” – tha Memushaj.

Pjesë e kursit UEFA PRO është edhe Emiliano Çela, i cili e ka nisur karrierën e tij në botën e trajningut. Në Shqipëri ai ka drejtuar Kastriotin, Flamurtarin dhe Kukësin. Për fshf.org ai shprehu vlerësimin e tij për ecurinë e kursit dhe rëndësinë që ka për vazhdimësinë e karrierës, teksa falenderoi FSHF që mundëson zhvillimin e kursit UEFA PRO në vendin tonë.

“Kursi po shkon shumë mirë, kemi rreth pesë muaj që po aktivizohemi. Është sipas metodologjisë më të fundit të UEFA-s, është mënyra interaktive, të gjithë marrin pjesë. Po vëmë re që është shumë efektive, do na vlejë shumë dhe është një mundësi shumë e mirë për ne.

Ne e dimë shumë mirë që është standardi më i lartë i trajningut, ka ardhur dhe në Shqipëri falë FSHF-së që e falenderojmë sepse të gjithë ne kemi mundësinë që të zhvillohemi dhe të mësojmë sa më shumë rreth punës që ne bëjmë” – përfundoi Emiliano Çela.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat