Inaugurohet fusha e re në stadiumin e KF Vjosa në Shtime 

Futboll

Inaugurohet fusha e re në stadiumin e KF Vjosa në Shtime 

Më: 2 mars 2024 Në ora: 15:30
Pamje nga inaugurimi

Në një ceremoni të veçantë në prag të ndeshjes së javës së 17-të në Raiffeisen Ligën e Parë të Kosovës, ndërmjet Vjosës dhe Ulpianës, është bërë inaugurimi i fushës me bari artificial në stadiumin e qytetit në Shtime.

Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, së bashku me kryetarin e Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, drejtoreshën për Kulturë, Rini e Sport, Albana Fazliu dhe përfaqësuesit e KF ‘Vjosa’, morën pjesë në ceremoninë e inaugurimit të fushës, duke shënuar kësisoj një kapitulli të ri për futbollin e këtij qyteti.

Prerja e shiritit simbolizoi jo vetëm hapjen zyrtare të fushës së re, por edhe angazhimin e vazhdueshëm të FFK-së në përmirësimin e infrastrukturës së futbollit në të gjithë vendin.

Rindërtimi i fushës me bari artificial në stadiumin e Shtimes është rezultat i investimit të Federatës së Futbollit të Kosovës në bashkëpunim me komunën. Ky investim ka sjellë një ndryshim thelbësor në këtë stadium, duke i dhënë mundësi skuadrës së Vjosës, por edhe talenteve të futbollit në Shtime, që të kenë kushte shumë më të mira për zhvillimin e aktivitetit të tyre.

“Inaugurimi i kësaj fushë të re me bari artificial është një hap shumë i rëndësishëm për futbollin në Shtime. Bashkë me komunën do të punojmë për ndërtimin edhe të fushës stërvitore, pasi Investimi në infrastrukturë është jetik për zhvillimin e futbollit tonë dhe për të krijuar mundësi të barabarta për të gjithë talentet, në çdo qytet dhe fshat të vendit tonë”, ka thënë Ademi.

Ai ka bërë të ditur se shumë shpejtë pritet të përfundojnë punimet edhe në fushën e KF Kika në Hogosht, si dhe në fushën e KF 2 Korrikut në kryeqytet.

Investimi në këtë stadium është pjesë e përmbushjes së Memorandumeve të Bashkëpunimit me autoritetet e nivelit lokal dhe qendror, të cilat synojnë të përmirësojnë kushtet dhe mundësitë për zhvillimin e futbollit në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat