Inzaghi paralajmëron ndryshime

Futboll

Inzaghi paralajmëron ndryshime

Më: 3 mars 2024 Në ora: 18:50
Inzaghi

Inzaghi paralajmëron ndryshime në formacion: Ndaj Genoas nuk jemi të gjithë

Interi do të kërkojë fitoren e radhës në kampionat, që do ta afronte edhe më shumë me titullin kampion, teksa mbrëmjen e të hënës në “San Siro” do të zbarkojë Genoa, skuadra e fundit që ka ndalur zikaltrit, pikërisht në ndeshjen e fundit të vitit 2023.

Që atëherë skuadra e Simone Inzaghit numëron 11 fitore në po kaq ndeshje në të gjithë kompeticionet, teksa trajneri bën apel për përqendrim maksimal ndaj ligurëve.

“Genoa është një skuadër në formë mjaft të mirë dhe javët e fundit ka humbur vetëm një ndeshje ndaj Atalantës në shtesë. Janë ekip që mbulojnë mirë fushën dhe ndaj tyre vuajtëm edhe në ndeshjen e parë, ndaj duhet të bëjmë kujdes për të marrë maksimumin”, u shpreh trajneri.

Për sfidën e të hënës, Interi ka rikuperuar sulmuesin Thuram, mesfushorin Frattesi dhe mbrojtësin Accerbi, me Calhanoglu që do të jetë i vetmi që do ta ndjekë ndeshjen nga tribuna, ndërsa Inzaghi paralajmëron të tjera ndryshime në formacion.

“Nuk do të jemi të gjithë ndaj Genoas, megjithatë do të bëjmë disa ndryshime në formacion, në mënyrë që ata që kanë luajtur më shumë, të mos ngarkohen. Jemi në tre muajt vendimtarë të sezonit dhe duhet të alternohemi sa më shumë. Për fat të mirë kam një grup fantastik dhe kushdo që luan, e di mirë se çfarë duhet të bëjë në fushën e lojës”, u shpreh trajneri zikaltër.

Interi do të përballet me Genoan të hënën në orën 20:45, me sfidën që do të transmetohet ekskluzivisht në SuperSport 2.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat