Xavi nuk dorëzohet

Futboll

Xavi nuk dorëzohet

Më: 7 mars 2024 Në ora: 15:14
Xavi Hernández

Xavi Hernández, trajneri i Barcelonës, ​​refuzon të heqë dorë nga titulli i La Liga-s, pavarësisht se të dielën e kaluar skuadra e tij humbi një mundësi të artë në “San Mamés” për ta ngushtuar hendekun me kreun (Real Madridin) në 6 pikë. Me 30 pikë ende në lojë, trajneri katalanas vazhdon të besojë në aftësinë për ta fituar titullin.

Ai e sheh ndeshjen e kësaj të premteje në “Lluís Companys” kundër Mallorca si një mundësi tjetër për të ushtruar presion ndaj rivalëve të bardhë: “Nuk besoj se titulli i La Liga-s është i paarritshëm për ne. Humbëm një mundësi shumë të madhe në ‘San Mamés’, por këtë të premte kemi një tjetër.

Kemi një mundësi tjetër për të ushtruar presion ndaj Real Madridit dhe Girona. Ne do të përpiqemi deri në fund, derisa matematika të na thotë ‘jo’. Do të mendojmë edhe për kthimin me Napolin në Champions, të martën”.

Sigurisht, për të mposhtur Mallorca, trajneri blaugrana e bëri të qartë se skuadra e tij do të duhet të rikthehet në nivelin që tregoi ndaj Getafes, dy javë më parë: “Së pari duhet ta përgëzojmë Mallorca, sepse po bën një sezon të mrekullueshëm, është në finalen e Kupës së Mbretit. Aguirre punon shumë mirë me ekipet e tij. Ne luajmë në shtëpi dhe shpresojmë t’i fitojmë tri pikët me ndihmën e tifozëve tanë”.

Sigurisht, pasi tregoi optimizmin se titulli i La Liga-s mbetet ende i realizueshëm, Xavi gjithashtu shtoi një pikë realizmi, i vetëdijshëm për luhatjet e ekipit të tij: “Midis fjalëve dhe asaj që ndodh në fushë, mund të ketë shumë diferencë.

Kemi parë video dhe e kemi analizuar shumë Mallorca. Jemi stërvitur shumë, por tani është koha për ta treguar veten në fushë. Paraqitja jonë ideale do të ishte të luanim njësoj si ndaj Getafe”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat